Shkruan: Afrim Kasolli
Përkundër protestave, pakënaqësive dhe zemërimit publik, ZRRE-ja sot ka vendosur, t’i aprovojë kërkesat e operatorëve që merren me distrubimin e energjisë elektrike. Për këtë trup, gjoja teknokratik nuk janë të rëndësishme ankesat e qytetarëve, por vetëm fitimi i kompanive që merren me këtë biznes. Dhe kjo nuk është e rastësishme, por rezultat i konfiguracionit politik që dominon në vend. Që kur filluan të bëhen publike planet e ZRRE-së, kam qenë skeptik se mund të ndalet kjo tendencë. Madje kam shkruar se edhe po të shkarkohet bordi aktual i ZRRE-së, është pak e besueshme se do të korrigjohet kjo padrejtësi. Sepse aktualisht ZRRE-ja, vepron në bazë të atyre kushteve që mbështeten nga të gjitha partitë politike dhe të cilat e shndërrojnë këtë të fundit në apologjete të interesave të kompanive si KEDS, e jo ta ketë hall xhepin e qytetarëve të zakonshëm të Kosovës, që po i nënshtrohen dita ditës presionit ekonomik dhe social. Siç dihet njëri, nga operatorët kryesor në tregun energjetik të Kosovës, është pronë e kompanive të e njohura turke Çalik Holding dhe Limak.
Dhe siç është dëshmuar kohën e fundit, të gjitha partitë në Kosovë janë të kujdesshme kur bëhet fjalë për raportet me liderin e këtij shteti. Madje duke mos e përjashtuar as presidencën. Këtë e tregoi edhe rivaliteti i tyre se kush po i falënderohet më shumë se tjetri presidentit Erdogan për sigurimin e njohjes nga Sudani, shtet ky që shprehur me terminologji hegeliane është “real, por jo aktual”. Por përtej këtyre kushtëzimeve ndërkombëtare, nuk duhet harruar faktin se privatizimi i këtij sektori kishte ndodhur në kohën e qeverisjes, kur ato që sot janë në opozitë ishin në pushtet. Prandaj, nuk është e rastësishme që ndër më të heshturit në këtë drejtim ka qenë kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sepse ky i fundit tashmë ka vendosur ta mbrojë trashëgiminë neoliberale të të parave, e duke krijuar përshtypjen se veçanërisht këto dy parti kanë “aksione politike” në këtë kompani.
Kuptohet, në funksion të mjegullnajës përfaqësues politikë në mënyrë individuale nuk kanë ngurruar që të shprehin “pakënaqësi” virtuale në rrjetet e tyre e sociale, mbase edhe me qëllim që ta maskojnë pajtimin real politik me këtë rritje. Madje jo vetëm kaq. Kur ishte privatizuar ky sektor, kompania në fjalë kishte premtuar 300.000 milionë euro investime në rrjetin energjetik. Por a ka ndodhur ndonjëherë që njëra nga partitë politike të kërkojë hetim serioz se sa janë përmbushur këto terma kontraktual? Të gjitha njëzëri e kanë heshtur këtë temë.
Në këtë kontekst, kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike nuk është asgjë tjetër pos edhe rezultat i martesës ideologjike që ka ndodhur ndërmjet partive politike në Kosovë. Ato tashmë luftojnë për pozicione ndërmjet vete, me qëllim që ta ruajnë të paprekur rendin socio-ekonomik, nga i cili janë duke përfituar bashkërisht mbi kurrizin e qytetarit të zakonshëm të qytetarëve