Ditët e fundit, në mediat ndërkombëtare është raportuar për një marrëveshje mes SHBA-së dhe Ukrainës për mineralet e rralla.
Disa detaje që kanë rrjedhur nga kjo marrëveshje thuhet se SHBA-të kërkojnë qasje në mineralet e Ukrainës në këmbim të ndihmës ushtarake.
Lidhur me këtë temë, ka folur analisti politik Shemsi Jashari, i cili tregon rreth skenarëve të mundshëm që mund ta presin Kosovën.
Jashari ka thënë se një skenarë i tillë mund të jetë i mundshëm edhe për Kosovën, analisti thekson se Kosova nuk ndodhet në situatë siç është Ukraina, në gjendje lufte.
“Situata që shohim rreth marrëveshjes SHBA-Ukrainë, është një shembull i marrëdhënieve të ndërlikuara mes vendeve të vogla dhe fuqive globale, ku janë në lojë interesat strategjike dhe burimet natyrore.
Për Kosovën, një skenar i ngjashëm mund të jetë i mundshëm, por gjithnjë duke marrë parasysh kontekstin e saj specifik politik dhe ekonomik.
Kosova nuk është në situatë të njejtë pasi nuk jemi në gjendje lufte, por çdo tensionim i situatës në veri që provokon incidente dhe rrjedhimisht konflikt mund të na vendosë në situatë kur Kosova, detyrohet të pranoj marrveshje që nuk janë në interesin më të mirë të saj”, ka thënë analisti Jashari.
Ai tutje ka potencuar se “Si në rastin e Ukrainës, edhe Kosova ka resurse natyrore, si mineralet dhe burimet energjetike, që mund të jenë të rëndësishme për vendet që kanë interesa në rajon. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mund të kërkojnë akses në kë këmbim të mbështetjes politike për integrime dhe të sigurisë e saj nga partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që të ndihmohej në konsolidimin e sovranitetit të saj”, ka thënë ai për TV Arbëria.
Ai ndër të tjera ka theksuar se Kosova duhet të gjejë një strategji për politikën e jashtme për marrëdhëniet me SHBA-të dhe BE-në.
“Kosova ka nevojë për një strategji të qartë të politikës së jashtme për të rivendosur marrëdhëniet me SHBA-të dhe BE-në, duke siguruar që interesat e saj kombëtare të jenë të mbrojtura”, ka thënë ai.
“Në këtë situatë të pazakontë kur mbështetja politike nga aleatët qartazi është kthyer në raporte transaksionale duhet të kemi një qeveri të përgjegjshme dhe shumë të matur në menyrë që të ruajme shtetësinë dhe pasuritë që kosova ka”, ka thënë tutje analisti. /TV Arbëria