Nëse ka diçka që e karakterizon aktualisht qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, mbetet përkushtimi i saj për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel, pa i nënshkruar dhe pa i pranuar.
Pra, derisa kryeministri Kurti në vazhdimësi ka pohuar se nuk ka pranuar asgjë, sepse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiç po refuzon të nënshkruaj me të, megjithatë, nuk është se në terren nuk janë duke lëvizur gjërat. Tashmë ka filluar zbatimi i Marrëveshjes për Energjinë, ku Elktroseveri u bë pjesë e sistemit energjetik të Kosovës, duke mbuluar komunitetin serb. Për më tepër, ky model nuk është asgjë tjetër, vetëm preludi i ndarjes së brendshme politike dhe juridike të Kosovës.
Ndërkohë, për shkak të refuzimit për ta shkruar vet draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tashmë Qeveria e Kosovës e ka pranuar një të tillë nga Bashkimi Evropian, të cilën para pak kohe kryeministri Kurti e mbronte me zell dhe fanatizëm të madh para oponentëve të tij politikë dhe qytetarëve të Kosovës. Pjesë e këtij skenari është edhe vendimi i shtetit të Serbisë për të lejuar qarkullimin e automjeteve me targa të Republikës së Kosovës. Kështu, topi tash është zhvendosur te institucionet e shtetit, për ta bërë lëshimin e radhës.
Këtë logjikë “tregtare ” politike, askush nuk e konfirmoi më mirë se sa dje, në një intervistë për një media lokale në gjuhën serbe, numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është personi më i besuar i Albin Kurtit për negociatat me shtetin fqinj.
Ai ka pohuar se pajtimi i “radhës duhet të bëhet për sekeuncimin duke u bazuar në parimin se “duhet bërë diçka për të marrë diçka”. Po ashtu, Bislimi ka pohuar se implementimi i Asociacionit do të bëhet në atë mënyrë që në secilën prej 4 fazave të themelimit të tij, Serbia duhet ta kryej obligimin e saj në drejtim të zbatimit të “njohjes de facto” sipas Marrëveshjes së Brukselit.
Pra, Besnik Bislimi tregon qartë se zvarritja e deri tanishme e procesit nuk është e kushtëzuar nga mos nënshkrimi i palës serbe, por ajo është pjesë e një skenari tjetër, për ta zbatuar atë gradualisht, në faza dhe pa u hetuar nga opinioni publik. Në mënyrë që pushteti aktual, ta mbajë të trullosur dhe në një gjendje konfuze këtë fundit, se është duke i mbajtur premtimet para elektoratit te tij, kurse në anën tjetër t’i zbatojë zotimet e marra ndërkombëtarisht në procesin e dialogut. Pjesë e kësaj strategjie mbetet edhe retorika për të shmangur luftën, masat ndëshkuese, dhe ndarjen territoriale të Kosovës, etj etj.
Sidoqoftë, e vërteta brutale e këtij procesi është se me zbatimin e kësaj marrëveshje që Qeveria e Republikës së Kosovës, tashmë nëpërmjet Bisnik Bislimit e ka pranuar edhe botërisht se e ka filluar zbatimin e saj, Kosova nuk fiton njohje nga Serbia, as de facto e as de jure, por vetëm e legjitimon autonominë e brendshme territoriale për komunitetin serb nëpërmjet Asociacionit, si dhe pranon atë ndërkombëtarisht.
Për më shumë ky entitet është edhe më sovran se sa shteti i Kosovës që shtrihet përtej kufijve të vetë menaxhimit. Sepse nëse për këtë pjesë autoritet final dhe juridik mbetet kushtetuta dhe rendi juridik i Kosovës, për Asociacionin këtë rol e merr arbitrazhi ndërkombëtar.
/TV Arbëria