Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme, ish-kryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, në mënyrë të “papritur” e të “befasishme” nëpërmjet rrjetit të tij social, hodhi kritika të ashpra ndaj liderishipit aktual të kësaj partie, Lumir Abdixhiku. Ai shkruante se “LDK-ja ka marrë rezultat të dobët që nuk përputhet me pritshmëritë e LDK-së para zgjedhjeve dhe gjatë përgatitjes për 4 vjet opozitë”. Sipas tij, “orientimi i lidershipit aktual për të bërë prerje të panatyrshme, si dhe distancim nga e kaluara e lavdishme shtetformuese e LDK-së, pavarësisht sfidave e lëshimeve gjatë rrugëtimit të lidershipeve të kaluar, kanë zvetënuar besimin e elektoratit tradicional të LDK-së”.
Arsyet e këtij degradimi, për Avdullah Hotin lidhen me “personalizimin e fushatës zgjedhore, përbërjen e listës, renditjen e kandidatëve në listë, paraqitjet dhe favorizimin medial e një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, e te cilat e kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak”. Për më shumë, “zgjedhjet e 9 shkurtit i ka karakterizuar edhe një proces i manipulimit të tyre, veçanërisht ato me postë nga diaspora. Prandaj, për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri. Nuk ka rrugë tjetër për rikthimin e besimit në LDK” shkroi Hoti. Shumëkush këtë përçarje në patinë më të vjetër në vend, e ka parë si dhuratën më të çmuar që mund t’i bëhet partisë në pushtet, sidomos kur kjo e fundit edhe i ka adresuar pretendimet e saj, për abuzim të votave të diasporës, pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Në anën tjetër, shumë nga anëtarët e kryesisë aktuale të Lidhjes Demokratike të Kosovës u solidarizuan me kryetarin e tyre e kundër ish-kryeministrit të Kosovës. Nënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili, i “quajti këto kërkesa qesharake dhe të pakuptimta”. Kurse kryetar i Pejës Gazmend Muhaxheri, ka thënë “se me Lumir Abdixhikun në krye të partisë rezultati ishte rritje “për 70%”. Prandaj, pretendimet e Hotit janë alogjike. E Sibel Halimi, ka shkruar “Lumir Abdixhiku është njeriu që duhet të udhëheq jo vetëm LDK-në, por edhe vendin!” Një fjalë thotë se vërteta kurrë nuk qëndron në njërën palë. Kështu, nuk mund të mohohet fakti se ky subjekt ka shënuar ngritje elektorale. Pra nga 12.7 për qind tashmë kjo parti ka siguruar 18.27 për qind të trupit elektoral të Kosovës. Por po ashtu as kjo rritje nuk ishte në përputhje me pretendimet dhe zotimet e vetë lidershipit aktual. LDK doli e treta si parti politike. Dhe që Lumir Abdixhiku ta drejtojë vendin, siç propagandojnë mbështetësit e tij, ai duhet paraprakisht t’i bind qytetarët e Kosovës, gjë që ka dështuar ta bëjë të. Prandaj edhe kritikat e Avdullah Hotit e adresojnë pikërisht këtë dështim të kryetarit aktual të LDK-së.
Sidoqoftë, armiqësia ndërmjet këtyre dy zyrtarëve të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përkundër këtij dështimi zgjedhor, duket që daton shumë kohë me parë. Ajo mund ta ketë zanafillën që nga Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar atëbotë, nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në Shtëpi të Bardhë, në prani ta presidentit Donald Trump. Siç dihet këtë marrëveshje e kishte kundërshtuar ashpër gjatë mandatit të parë, kryeministri Albin Kurti, i cili ishte në bashkëqeverisje me LDK-në, me arsyetimin se më anë të saj janë duke u mprehur thika mbi hartën e Kosovës, duke aluduar në akorde për ndarje territoriale. Për t’i hapur rrugë këtij procesi u shkarkua edhe Qeveria Kurti 1. Pjesë e këtij kabineti ishte kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abixhiku. Kurse i njëjti e refuzoi çdo post ministror të ofruar nga Avdullah Hoti. Pas nënshkrimit të asaj që u quajt si “Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, në Kosovë filloi një fushatë e paparë populiste kundër saj, e prirë nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. LDK dhe kryeministri i Avdullah Hoti e pagoi një çmim të madh politik për këtë ruajte me çdo kusht të partneritet politik dhe strategjik me SHBA-në. Kurse në tërë këtë zallamahi, Lumir Abixhiku u struk në jetën e tij private, madje pa ofruar asnjë mbështetje publike në favor të saj.
Dhe vetëm pasi kaloi furtuna ai u imponua si kudër i domosdoshëm për reforma në LDK. Këtu nuk mund të mohohet fakti se ky proces nuk u shtrua si domosdoshmëri e brendshme, por nga klima armiqësore që e prodhoi Lëvizja Vetëvendosje dhe presidentja Osmani, çfarë ndikoi që të përfitoi politikisht kryetari aktual. Prandaj, përpos argumenteve të sipër cekura, duket që tensionet e djeshme janë edhe pasojë e kësaj armiqësie të hershme, që lidhet me Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit të vitit 2020. Ku Avdullah Hoti nga dedikimi për të, si zëvendësim i pritshëm i ish-kryetarit Isa Mustafa, e humbi lidershipin e LDK-së, kurse Lumir Abdixhiku, për shkak të heshtjes mortore ndaj saj, e fitoi atë.
Dhe ky bilanc ka krijuar dilema se a mos kjo parti nën drejtimin e të dytit i ka ngjasuar me shumë Lëvizjes Vetëvendosje se sa trashëgimisë së Rugovës, kur ruajtja e aleancës më SHBA-të, duhet të dominojë mbi çdo kalkulim tjetër politik?