Shkruan: Emine Krasniqi
SHBA-ja konsiderohet aleati më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm i Kosovës. Roli i saj ka qenë vendimtar që nga periudha e luftës së viteve 1998–1999, veçanërisht përmes ndërhyrjes së NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, për t’i dhënë fund krizës humanitare në Kosovë. Pas luftës, SHBA-ja ka mbështetur vazhdimisht procesin e ndërtimit të institucioneve shtetërore, sigurinë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.
Njohja e menjëhershme e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja ka forcuar pozitën ndërkombëtare të vendit dhe ka inkurajuar edhe shtete të tjera që ta njohin Kosovën. Po ashtu, SHBA-ja ka qenë një ndër faktorët kryesor në dialogun Kosovë–Serbi, duke kërkuar stabilitet rajonal dhe marrëveshje të qëndrueshme që respektojnë sovranitetin e Kosovës.
BE-ja ka luajtur rol të rëndësishëm në Kosovë përmes misioneve të ndryshme, si EULEX-i, si dhe përmes ndihmës financiare dhe teknike. Një aspekt shumë i rëndësishëm i marrëdhënieve me BE-në është dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Brukseli, i cili shihet si kusht kyç për përparimin drejt integrimit evropian.
Marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në janë thelbësore për stabilitetin politik, zhvillimin ekonomik dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës. Ndërsa SHBA-ja ofron mbështetje të fuqishme politike dhe të sigurisë, BE-ja ofron perspektivën e integrimit dhe zhvillimit afatgjatë. Bashkëpunimi me të dyja palët është jetik për të ardhmen e Kosovës si shtet demokratik dhe funksional.
/TV Arbëria