Enzo Maresca është gati të debutojë në “Stamford Bridge”, teksa ndeshja e parë e Chelsea të tij para tifozerisë do të jetë pikërisht miqësorja e të dielës në mbrëmje përballë Interit.
Ky do të jetë edhe testi i fundit për londinezët, që më pas do të rikthehen në fushë për javën e parë të kampionatit, me trajnerin italian që nuk e ka fshehur kënaqësinë që më në fund do të drejtojë skuadrën para tifozerisë blu.
“Jam shumë i emocionuar, pasi më në fund kthehemi në shtëpi, para tifozerisë tonë. Kemi shumë nevojë për mbështetjen e tyre gjatë gjithë sezonit dhe jam i bindur që nuk do të mungojnë asnjëherë. Unë përpiqem të ndërtoj gjithmonë raporte të shkëlqyera me tifozerinë, pasi ata janë lojtari i 12. Jam i bindur që do të argëtohemi shumë së bashku”, u shpreh Maresca.
Trajneri italian u ndal të analizojë edhe kundërshtarin e të dielës, që do të jetë pikërisht Interi kampion i Italisë, me Marescën që nuk i fshehu vlerësimet për zikaltrit.
“Interi është një skuadër e shkëlqyer, që dy vite më parë luajti finalen e Champions League dhe aktualisht vjen si kampion në fuqi i Italisë. Kanë të njëjtin trajner prej tre vitesh dhe luajnë një futboll shumë të bukur, si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe atë sulmuese. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por njëkohësisht edhe një test mjaft i mirë para nisjes së kampionatit”, u shpreh Maresca.