Qytetarët e Maqedonisë së Veriut me të drejtë vote dje iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ardhëm të këtij shteti. Në kampin maqedonas më së shumti vota mori kandidatja e partisë aktuale opozitare VMRO-DPMNE Gordana Siljanovska Davkova.
Sipas rezultateve te deritanishme të Komisionit shtetëror zgjedhor ajo ka fituar 349.746 vota – 40,23 përqind, duke u pasuar nga kandidati i Lidhjes Social Demokrate (LSDM) Stevo Pendarovski, presidenti aktual, i cili mori 173,612 vota përkatësisht 19,97 përqind.
Ndërkohë në taborin e shqiptarëve më së shumti vota ka fituar kandidati i “Frontit Evropian” të prirë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani me gjithsej 116.319 vota (13,38) në raport me kandidatin e opozitës VLEN Arben Taravari me 81.671 (13,38).
Sidoqoftë, asnjëri nga pretendentët për postin e të parit të këtij shteti nuk ia doli që ta sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave në këtë raund të votimeve. Me këtë rast, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga LSDM do të ballafoqehen në balotazh me datë 8 maji. Në këtë garë, kandidatja e VMRO-DPMN hynë më një përparësi solide elektorale në raport me kandidatin e LSDM-së.
Këtu vlen të kujtohet se paralelisht me këto zgjedhje do të mbahen edhe ato parlamentare. Prandaj, rezultati i tyre do ta përcaktojë konfiguracionin e ri parlamentar në atë shtet. Dhe ky rezultat është tejet i rëndësishëm për të ardhmen e këtij shteti, sidomos për shkak të kontekstit gjeopolitik si vendor ashtu edhe rajonal në të cilin gjendet ky shtet.
Maqedonia e Veriut është shtet anëtar i NATOS-së. Ajo u bë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike vetëm pas ndryshimit të emrit kushtetues në bazë të Marrëveshjes së Prespës në vitin 2018, ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë. Ky akord u arrit pas daljes në opozitë të partisë VMRO-DPMNE, sepse e njëjta e kishte kundërshtuar për vite këtë kriter të imponuar nga Athina Zyrtare. Mirëpo, ky shtet edhe pse e ka tejkaluar këtë sfidë ka mbetur peng sa i përket agjendës së integrimeve evropiane.
Që të zhbllokohet ky proces shteti i Bullgarisë ka kërkuar përfshirjen e minoritetit bullgar si kategori kushtetuese. Këto ndryshime nuk mund të bëhen pa dy të tretat e deputeteve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Kandidati për kryeministër i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ka premtuar se nuk do ta pranojë këtë kërkesë të Sofjes zyrtare. Dhe sipas shumë analistëve mundësia që kjo parti ta ketë si presidentin ashtu edhe qeverinë është më bërë më reale se kurrë me parë.
Ndërkohë, BDI si fituese e zgjedhjeve në taborin shqiptar ka premtuar se nëse i fiton zgjedhjet nuk do të bisedojë me asnjërën prej partive fituese maqedonase për formimin e ekzekutivit pa u dakorduar paraprakisht për domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese. E për të shmangur këtë kusht të brendshëm evropian të BDI-së, me të përfunduar raundi i djeshëm i zgjedhjeve, Mickoski ka deklaruar se “është dëgjuar në telefon me Abren Taravarin duke uruar për rezultatin e zgjedhjeve si dhe kanë biseduar për Qeverinë e e ardhshme në Maqedoni”
Mbetet të shihet se çfarë drejtimi politik do të marrin zhvillimet në këtë shtet, sidomos në një kohë kur tensionet gjeopolitike si për shkak të pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia ashtu edhe luftës në Lindje të Mesme ndodhen në kulm. Po ashtu, vlen të ceket se dite më parë inteligjenca kombëtare amerikane alarmonte mbi rrezikun e shtimit të konflikteve dhe tensioneve ndër-etnike, “Udhëheqësit nacionalistë të Ballkanit ka të ngjarë t’i përkeqësojnë tensionet për avantazhin e tyre politik, ndërkohë që aktorë të jashtëm i përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të ruajtur ndikimin e tyre në rajon”, shkruante ndër të tjera ky raport.
/TV Arbëria