Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Maqedoni > Maqedoni, asnjë shqiptar në njësinë elitare të ushtrisë “Ujqit”

Maqedoni, asnjë shqiptar në njësinë elitare të ushtrisë “Ujqit”

Ka mbaruar kursi i seleksionimit në Batalionin për forca speciale në ARM të njohur si “Ujqit”.

Ashtu edhe siç pritej, asnjë shqiptar nuk është pjesë e grupit që janë kualifikuar për këtë njësi. Shtabi i Përgjithshëm konfirmoi se nuk ka pjesëtarë me përkatësi etnike shqiptare.

“Në mesin e kandidatëve të cilët e kanë kryer këtë seleksionim nuk ka pjesëtarë të Armatës të cilët i përkasin përkatësisë etnike shqiptare. Pjesëtarët të cilët nuk e kanë kaluar seleksionimin në tërësi kanë dhënë deklarata me vullnetin e tyre mbi arsyet e tërheqjes, ndërsa pjesëmarrësit të cilët kanë kaluar gjysmën e seleksionimit (12 ditë) mbeten pjesë e batalionit të zbulimit (ish batalioni “Renxherët”) i cili gjithashtu është pjesë e njësive speciale”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ARM-së.

Kursi i seleksionimit zgjati 24 ditë, ndërsa u spikat nga dy momente: e para rrahja brutale e kandidatit shqiptar nga ana e pjesëtarëve të tjerë e që bëri i njëjti të mos jetë pjesë e “Ujqve” dhe e dyta vdekja e ushtarit 25 vjeçar gjatë ushtrimeve përfundimtare, ecja në terrene malore prej 100 kilometrave.

Në rastin e parë, kapiteni shqiptar u inskenua për t’u diskualifikuar sepse u dërgua në spitalin psikiatrik në Shkup në gjendje të rëndë fizike dhe psikike, ndërsa në rastin e dytë, ushtari i ri ndërroi jetë derisa ndihma mjekësore në Shkup i ishte ofruar 5 deri 6 orë pasi kishte pësuar sulm kardiak.

Në këtë rast Shtabi i Përgjithshëm kishte njoftuar se Armata e Maqedonisë nuk ka helikopter për shërbim mjekësor. Për sulmin ndaj kapitenit shqiptar u formua komision i veçantë por edhe pse duhej të konstatonte shkeljet, parregullsitë dhe tejkalimin e kompetencave mbi dhunën e ushtruar ndaj kapitenit shqiptar në Krivollak, pjesë e kursit përzgjedhës për njësinë elitare “Ujqit”, nuk u soll asnjë rezultat.

Komisioni nuk ka arritur të sjell konstatimin për faktin se nuk ka kontaktuar me ushtarin e dëmtuar për shkak se i njëjti ka hapur pushim mjekësorë./Alsat/

Powered by WordPress