Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Maqedonci: Serbia synon ta destabilizojë Ballkanin, me shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Maqedonci: Serbia synon ta destabilizojë Ballkanin, me shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Paralajmërimi i Serbisë për kthim të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, është synim i Serbisë për të destabilizuar Ballkanin, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se Serbia me këtë veprim, pos kërcënimit të fqinjëve, po synon t’i frikësojë e mbajë nën kontroll edhe qytetarët serbë.

“Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe militarizimi i Serbisë përveç qëllimit për kërcënimin e fqinjëve, ka synim edhe frikësimin dhe mbajtjen nën kontroll të vetë qytetarëve serb. Për më tepër përmes shërbimit të detyrueshëm, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë tenton të fshehë moralin dhe motivin e ulët të ushtarakëve serb për t’i shërbyer regjimit aktual. Kjo është edhe një ndër arsyet pse lidershipi aktual në Serbi e ka të domosdoshme shfrytëzimin e kriminelëve dhe grupeve jo-formale për të shtyrë para interesat e tij. Në fund përmes shërbimit të detyrueshëm, institucionet në Serbi, synojnë që regjionin e Ballkanit ta fusim në garë të kapaciteteve ushtarake, me qëllim destabilizimin, pengimin e integrimit euro-atlantik të rajonit, dobësimin ekonomik të fqinjëve dhe krijimit të ndjesisë së luftës në prag”, ka shkruar ai në Facebook të shtunën.

Maqedonci ka alarmuar edhe për veprimet tjera të mosdurimit etnik të Serbisë të ditëve të fundit. Ai ka thënë se “parashikimi” i ministrit të Mbrojtjes të Serbisë se nga Kosova do të ikin 500 mijë shqiptarë pas liberalizimit të vizave, është shpërfaqje e vazhdimësisë dhe pranisë së ideve kolonialiste e hegjemoniste te lidershipi politik në Serbi.

“Para se Vuçeviq të ‘ëndërrojë’ kolonat e kosovarëve duke lënë Kosovën duhet të shqetësohet për nivelin e represaljeve që regjimi të cilit ai i takon është duke ushtruar kundër qytetarëve të tij. Regjimi aktual i Beogradit si vazhdimësi e regjimeve të kaluara të Serbisë me përpikëri po ndjek hapat e ‘playbook-ut’ të diktatorëve duke shtypur edhe liritë më elementare në Serbi. Dhuna dhe veprimet ndaj opozitarit Nikola Sanduloviq dhe ndaj çdo zëri tjetër demokratik janë tashmë të njohura nga shembujt e ngjashëm që i shohim e dëgjojmë pothuajse çdo ditë në Federatën Ruse, Korenë e Veriut dhe Iran”, ka thënë Maqedonci.

Pavarësisht agresivitetit të Serbisë, Maqedonci ka thënë se Kosova vazhdon të mbesë e përkushtuar për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian e se Ushtria po mbështetet për të qenë në përputhje me standardet e NATO-s./

TV Arbëria

 

Powered by WordPress