Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim homologun e tij italian, Guido Crosetton, i cili është duke qëndruar për vizitë në Kosovë.
Maqedonci, mes tjerash theksoi se temë e diskutimit ka qenë rritja e bashkëpunimit dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO.
“Rikonfirmuam angazhimin e përbashkët të të Kosovës dhe Italisë, për të vazhduar partneritetin tonë dypalësh në fushën e mbrojtjes”, shkroi Maqedonci në platformën X.
“E nënvizova qëllimin tonë për t’iu bashkuar NATO-s, për të garantuar stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor dhe me gjerë”.
“Ishte kënaqësi të pres sot në takim Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Italisë, z. Guido Crosetto.
Diskutuam rreth situatës së sigurisë në vend si dhe format se si mund të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e shkollimit si dhe trajnimit të ushtarakëve, e po ashtu në fushën e industrisë së mbrojtjes.
Ministrin e falenderova për mbështetjen që Italia i ka ofruar Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke qenë shteti me pjesëmarrjen më të madhe të trupave në kuadër të misionit të KFOR-it.
Ndërsa po ashtu e njoftova rreth mbështetjes që jemi duke i ofruar Ukrainës përmes ofrimit të trajnimeve dhe dhurimit të automjeteve taktive e municioneve që pritet të dërgohen së shpejti.
Kërkova mbështetjen e Italisë në proceset për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, për të cilën pranova dhe konfirmin nga ministri Crosetto se do të kemi mbështetjen e pakursyer të Italisë. Integrimi i Ballkanit në BE dhe në NATO të dy ishim dakord se do të krijonte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
/TV Arbëria