Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, ka folur për zhvillimet aktuale të sigurisë në nivel global dhe ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit dhe në Kosovë.
Maqedonci theksoi se bota po kalon një nga periudhat më të ndërlikuara të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore, me ndryshime të mëdha strategjike dhe shfaqjen e akterëve që po sfidojnë rendin global të sigurisë.
“Kemi parë invazionin rus në Ukrainë, tensionet dhe luftërat në Lindjen e Mesme, si dhe qasje gjithnjë e më agresive të disa shteteve anë e mbanë globit. Kjo ka krijuar një ambient të ri të pasigurisë, ku çdo shtet po përcakton qasjen dhe qëndrimet e veta ndaj këtyre ndryshimeve”, tha Maqedonci.