Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se nëntori është muaj i rëndësishëm për shqiptarët, sepse përkon me fitoren e Skënderbeut në Krujë, ngritjen e flamurit në Vlorë, ditëlindjen e Kryekomandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së.
Duke folur për FSK-në, ai ka thënë se Ushtria e Kosovës po vazhdon t’i ngrisë kapacitetet e saj në një botë të pasigurtë.
“Sot teksa kujtojmë të kaluarën e lavdishme me gëzim e krenari, ndjejmë përgjegjësi të madhe për të vazhduar në paqe punën e nisur nga të parët tanë. Me përkushtim të përmbushim detyrat para nesh për të zhvilluar vendin tonë ndërsa vazhdojmë të ngrisim kapacitetet e ushtrisë, në një botë më të pasigurtë që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë, e me aleatët e Rusisë në mes të Evropës që synon destabilitetin e Kosovës”, ka shklruar ministri në Facebook.
Tutje, Maqedonci ka shkruar se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë sa më afër njëra-tjetrës, për t’i mbrojtur interesat kombëtare.
“Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë sa më afër njëra tjetrës për të mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. Të mësojmë nga rruga e kaluar dhe të zhvillohemi tutje me të bashkuar e gjithnjë më të fortë”, ka shkruar ai në Facebook.