Dy skuadrat kosovare, Llapi e Malisheva do t’i zhvillojnë sot ndeshjet kthyese në garat evropiane.
Ekipi i Llapit do ta ketë një punë shumë të vështirë ta kthej disavantazhin prej 2:0 përballë Wisla Krakow, në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës.
Të besuarit e Tahir Batatinës pësuan humbje një javë më herët në udhëtim, në kuadër të kualifikuesve të Ligës së Evropës.
E tash, ata i pret një punë e madhe sot në ndeshjen që do të fillojë në orën 16:30.
Po sot, por nga ora 21:00, Malisheva luan në udhëtim te Buduçnosti në Podgoricë.
Ekipi malishevas që po paraqitet për herë të parë në histori të tyre në garat evropiane, e nisën për mrekulli fazën kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Malisheva fitoi takimin e parë minimalisht 1:0 me një super gol të Etnik Brrutit.
Djelmoshat e Qëndrim Kidën do të mundohen ta ruajnë këtë epërsi dhe të kalojnë tutje.
Përveç Llapit e Malishevës, në garat evropiane janë edhe Ballkani dhe Drita.
Suharekasit tash do të vazhdojnë garën në Ligën e Konferencës, kurse Drita do të paraqitet nga faza e ardhshme e Ligës së Konferencës.