Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Maliqi për veriun: Momentin që serbët janë tërhequr nga institucionet atje, Kurti ka dështuar – Kurti nuk e do vendin më shumë se Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli…

Maliqi për veriun: Momentin që serbët janë tërhequr nga institucionet atje, Kurti ka dështuar – Kurti nuk e do vendin më shumë se Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli…

Analistja politike, Afërdita Maliqi, në ARB Debat me Rid Berishën, në TV Arbëria ka folur për gjendjen në veri të Kosovës.

Ajo ka thënë se në momentin që serbët janë tërhequr nga institucionet e Kosovës, Kurti ka dështuar.

“Ne që kemi qenë  në ngjarje, e dimë që veriu ka qenë i dështuar. Do të thotë, që kur ka nisur të merret me aksione në veri, pavarësisht se është hequr Radojiçiqi ose është gjetur armatim i madh, momentin që serbët janë tërhequr nga institucionet atje, pas një pune shumë të madhe të institucioneve të Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare për integrimin e serbëve, e kemi ditur të gjithë që Kurti ka dështuar,” ka thënë ajo.

Maliqi thotë se mbështetësit e Kurtit i besojnë teorisë se ai ka çliruar veriun, gjë që nuk qëndron, sipas saj.

“Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e qytetarëve ka besuar në leksionin e Kurtit, në narrativën e tij që ai e çliroi veriun, që atje po jetohet mirë, që janë hapur disa biznese, sa për të pirë një kafe, ndërkohë që realiteti po thotë se është krejt ndryshe,” ka thënë ajo në ARB Debat.

Ajo shton se Kurti nuk mund të dojë vendin më shumë se Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj dhe Isa Mustafa.

“Unë e kam thënë që në fillim që Kurti po dështonte në veri, sepse unë nuk mendoj që vendin e do Kurti më shumë se Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Isa Mustafa, dhe ata që kanë bartur mbi supe procese të rëndësishme për vendin,” thotë ajo.

Analistja shton se Kosova ka humbur mbështetje ndërkombëtare si pasojë e veprimeve në veri.

“Nuk na duhet të humbasim një mbështetje aq të madhe ndërkombëtare për veprime kapriçioze, edhe për të kënaqur elektoratin e vet me thënë: ata që s’kanë qenë në gjendje të bëjnë, unë e bëra, por realisht nuk ka bërë kurrgjë,” ka thënë ajo për TV Arbëria.