Analisti politik Shkëlzen Maliqi, në një përgjigje për TV Arbëria, ka komentuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Në lidhje me prezencën e diasporës në Kosovë në kohën e zgjedhjeve, thotë se po ndodh për herë të parë dhe për këtë mund të ketë përqindje më të madhe të pjesëmarrjes. Po ashtu, potencon se kjo datë u kurdis nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
“Për herë të parë zgjedhjet mbahen në kohën kur mund të ketë prezencë më të madhe të diasporës, mund të kemi përqindje shumë më të madhe të pjesëmarrjes, dhe VV-ja me Vjosa Osmanin sikur e kanë kurdisur këtë datë të zgjedhjeve më 28 dhjetor, sepse besojnë se shumica e diasporës e voton VV-në, dhe mund ta kompensojë uljen e përkrahjes së VV te elektorati rezident.”, ka thënë Maliqi.
“Asnjë anketë deri tash nuk ka pasur mundësi të matë disponimin e diasporës si tërësi; më 28 dhjetor do ta kuptojmë sa ka me qenë ndikuese vota e tyre.”
Analisti shton se VV-ja ka punuar shumë me diasporën, ndërsa ish-opozita e ka neglizhuar këtë pjesë, por kohëve të fundit kanë filluar punën në këtë drejtim.
Tutje thotë se nuk do t’i shkojnë krejt votat e diasporës Vetëvendosjes.
“Vetëvendosja është angazhuar shumë te diaspora, partitë tjera e kanë pasur të neglizhuar, kohëve të fundit kanë punuar me e përtërirë rrjetin e degëve dhe fushatën atje. Nuk është se krejt votat i shkojnë VV-së, por trendet kanë qenë deri tash se diaspora po i siguron disa deputetë më shumë se sa do t’i kishin pasur vetëm nga votuesit vendor”
Sipas analistit, një problem që mund të paraqitet është votimi i dyfishtë, edhe me postë edhe në vendvotime.
“Problem mundet me qenë edhe votimi i dyfishtë, me postë dhe në vendvotim; nuk besoj se kemi mekanizëm të kontrollit të dyfishimit të votës. Kjo mund të bëhet gjatë kontrollit të secilës votë që është dërguar me postë te vendvotimi ku përkasin, dhe në këto raste të anulohet çdo votë e dyfishtë.”, ka thënë Shkëlzen Maliqi. /TV Arbëria