Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mali i Zi në vitin 2028 në BE. Kosova në bisht të sorrës?

Mali i Zi në vitin 2028 në BE. Kosova në bisht të sorrës?

Shkruan: Agron Hoti

Dy vende që kanë përfituar më së shumti nga lufta në Ukrainë janë padyshim Mali i Zi dhe Shqipëria. Mali i Zi zyrtarisht pritet të anëtarësohet në BE në vitin 2028, Shqipëria me shumë gjasë në 2030, nëse jo në 2029.
Ndërkohë, nëse ka një vend që ka humbur më së shumti nga lufta në Ukrainë, atëherë ajo padyshim është Kosova. Nga 2019-2026, kemi humbur 7 vite të çmuara në sabotazh të brendshëm dhe tensione ndërkombëtare që e kanë paralizuar vendin, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Kosova sot lëviz nga një krizë në tjetrën, nga një bllokadë në tjetrën.
Në vend që Kosova të ishte përfituesja më e madhe nga lufta në Ukrainë, ajo u bë humbësja më e madhe. Në vend që të fitonim nga momenti gjeopolitik, ne humbëm. Në vend që gjatë kësaj periudhe të ecnim përpara drejt BE-së, bëmë tërësisht të kundërtën, sepse u futëm edhe nën sanksione të saj dhe ndërpremë çdo bashkëpunimin strategjik me SHBA. Sot, Kosova rrezikon të jetë vendi më i izoluar politikisht dhe diplomatikisht në Evropë dhe në tërë botën perëndimore. Në vend që të rrëshqisnim natyrshëm nga Përëndimi, po rrëshqasim panatyrshëm kah Lindja bashkë me diasporën tonë.
Ndërkohë, ironia është shumë e dhimbshme: nga 1999 deri në 2019, përkundër sfidave të shumta si shtet i ri, arritëm çlirimin, pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit. Në këtë kuadër, në vitin 2016 nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pra hapin më të madh drejt BE-së deri me sot. Ndërsa sot, në vend që të negocionim anëtarësimin, merremi me heqjen e sanksioneve. Kjo është një kthesë dramatike mbrapa.
Kosova rrezikon të mbetet si i vetmi vend në botën perëndimore nën sanksione perëndimore, një njollë kjo që nuk duhet të përsëritet. Ndërkohë, izolimi po reflektohet drejtpërdrejt në zbrazjen e vendit: rinia dhe profesionistët po largohen me ritme alarmante për shkak të paralizës totale së brendshmi dhe së jashtmi.
Kur mundohesh t’i shtrish këmbët përtej jorganit, rrezikon të mbetesh pa jorgan fare. Për një vend me nevoja të mëdha si Kosova, 7 vite të humbura drejt BE-së (2019-2026) vlejnë sa 70. Të tjerat janë vetëm detaje për konsum ditor, asgjë më shumë.