10 vjet burgim është maksimumi i dënimit për të miturit të cilët kryejnë vrasje të rëndë. Kjo parashihet bazuar në drejtësinë penale për të miturit, i cili për qëllim ka rehabilitimin, riedukimin e mirëqenien e të miturit.
Avokatë e monitorues të drejtësisë konsiderojnë se vrasja e të riut nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu, është ndër më të rëndat që kanë ndodhur në Kosovë.
Rrahja brutale e deri në vdekje të 18-vjeçarit, fillimisht ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “therrje me thikë nga dy persona”.
Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimin për raportimin e policisë.
Avokati Skender Musa, i cili ka qenë mbrojtës në rastin e Aulon Zekës, të miturit i cili u vra rreth shtatë vjet më parë, pret që rasti i Lulzim Fejzullahut të mos zvarritet, ashtu siç ka ndodhur me të parin.
Tutje, ai shton për KosovaPress se familja asnjëherë nuk do të jetë e kënaqur me ligjin që e rregullon këtë çështje. Musa flet edhe për raportimin që është bërë në lidhje me të miturin, Lulzim Fejzullahun.
Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë drejtësia penale moderne ka për qëllim ri-socializimin dhe ri-edukimin e të miturve e jo shqiptimin e masave represive.
Makshana konsideron se institucionet kanë dështuar sërish.
Në raportin ditor të Policisë së Kosovës të datës 15 janar thuhej i riu ishte therur me thikë.
Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka konfirmuar se kanë nisur hetimet rreth veprimeve të policisë.
I riu nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu vdiq më 20 janar, një javë pasi ishte duke u trajtuar në mjekim intensiv në QKUK.
Ai fillimisht ishte goditur me veturë nga dy persona të dyshuar, e më pas ndaj të njëjtit kishin filluar ta godisnin me mjete të forta.