Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Majlinda Kelmendi: Njerëzit nuk do të më harrojnë kurrë

Majlinda Kelmendi: Njerëzit nuk do të më harrojnë kurrë

Legjenda jonë, Majlinda Kelmendi ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Olympics.com”, ku e ka përshkruar jetën si trajnere e xhudos.

Kelmendi u pensionua si xhudiste në vitin 2021, kështu duke iu bashkuar Driton Kukës si trajnere e ekipit nga Kosova të xhudos.

“Nganjëherë e kam më të vështirë se sa kur isha një atlete”, tha Kelmendi.

Edhe pas pensionimit të saj në vitin 2021, Kelmendi vazhdon të jetë një figurë ikonë e xhudos dhe veçanërisht e Kosovës.

“Popullariteti im është ende i njëjtë, ndoshta njerëzit më kujtojnë dhe më respektojnë aq shumë sepse unë isha e para që fitova çdo titull për vendin në këtë sport,” tha kampionia olimpike e Rio 2016 dhe dy herë medalja e artë botërore për “Olympic.com” në një video-intervistë ekskluzive nga shtëpia e saj.

“Kishte shumë momente të veçanta gjatë karrierës sime dhe për këtë arsye njerëzit nuk do të më harrojnë kurrë”, tha Kelmendi më tej.

Përballë apartamentit të saj në Pejë, qëndron një statujë e Majlinda Kelmendit. Që prej se u pensionua nga xhudo, ajo më në fund kishte kohë që të reflektonte në dhuratën që i ishte dhënë asaj nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos para tre vitesh.

“Më bën të ndihem krenare. Imagjinoni sa xhudistë ka në botë dhe ata vendosën të bëjnë një statujë për mua në vendin tim”, tha ajo e emocionuar.

Kelmendi u pensionua nga xhudo kur e vërejti se ajo nuk mundet më të stërvitet dhe të garojë në nivelin që ajo dëshironte.

“Ndonjëherë më mungon dhe ndoshta mund të kisha vazhduar edhe dy-tre vjet të tjera, por trupi im nuk e përballon dot më. Edhe nëse dua të stërvitem, trupi im thjesht nuk po më dëgjon”, tha Kelmendi.

Pavarësisht kësaj, xhudo nuk është zhdukur nga jeta e 31 vjeçares. Në fakt, një aventurë e re si trajnere filloi menjëherë kur përfundoi karriera e saj si xhudiste.

“Kam vendosur të jem trajnerë, mendoj, edhe para se të mbaroja karrierën. Do të doja të bëhesha trajnere sepse kur jam në tatami, nuk ka rëndësi se ku, ndihem mirë, jam vetvetja”, tha ajo.

Para një viti, Kelmendi iu bashkua stafit të trajnerëve të mentorit të saj, Driton ‘Toni’ Kuka:

“Ai është bosi, unë jam këtu për ta ndihmuar në çdo gjë, varësisht se çka i nevojitet atij dhe ekipit. Më së shumti punoj në seancat stërvitore të xhudos”, shpjegoi Kelmendi.

“Mendova se do të kisha më shumë kohë kur dola në pension, por kjo është krejtësisht ndryshe sepse tani punoj me fëmijë, me kadetë, me të rinj dhe me të moshuar. Dhe udhëtoj shumë, por më gëzon”, shtoi Kelmendi.

Fillimisht, të ishte trajnere ishte shumë më e vështirë nga sa priste ajo.

“Kur je sportist, mendon vetëm për veten: thjesht stërvitesh, jep maksimumin dhe kaq. Si trajnere, duhet të përballesh me personalitete të ndryshme dhe të përshtatesh me ta, nuk mund t’i trajtosh të gjithë në të njëjtën mënyrë.

Është gjithashtu një përgjegjësi e madhe sepse të gjithë prisnin që unë të isha po aq e mirë sa isha si atlete. Kështu që ka qenë e vështirë, por më në fund gjeta mënyrën time si të jem trajnere”, tha Kelmendi.

Kelmendi është trajnerja e fundit femër që ka marrë një mundësi në nivel të turneut botëror.

/TV Arbëria

Powered by WordPress