Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Macroni nxit tensionet Francë-Gjermani

Macroni nxit tensionet Francë-Gjermani

Tensionet në mes të Berlinit dhe Parisit janë nxitur të martën pasi ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, iu përgjigj deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron që u kërkoi evropianëve të mos sillen “si frikacakë” në mbrojtje të Ukrainës.

Një ditë më parë, Macroni në Pragë kritikoi shtetet perëndimore që kanë kundërshtuar dërgimin e mjeteve për të përkrahur Kievin kundër invazionit rus.

“Evropa qartë po përballet me një moment kur është e domosdoshme të mos jesh frikacak”, ka thënë ai në një diskutim me komunitetin francez, duke shtuar se njerëzit s’duan të shohin tragjedi.

Pistoriusi i është përgjigjur duke thënë se gjuha e Macronit është kundërproduktive.

“Nuk na duhet, të paktën nga perspektiva ime, të flitet për të mbledhur trupat ose për të pasur më shumë a më pak guxim”, u ka thënë Pistorius gazetarëve gjatë një konference për media me homologun suedez. “Kjo është diçka që nuk na ndihmon në zgjidhjen e çështjeve me të cilat përballemi, kur vjen puna për të ndihmuar Ukrainën”.

Duke folur më vonë, Macroni është përgjigjur duke thënë se Gjermania s’ka qenë cak i komenteve, por se ka qenë “e nevojshme” që të shkunden aleatët e Francës.

“Nëse jemi pasivë… ne rrezikojmë të vuajmë, të kthejmë vuajtjet”, ka thënë ai.

Tensionet francezo-gjermane janë në rritje. Franca është e frustruar që Gjermania e konsideron raportin me Washingtonin si gurthemel të sigurisë evropiane, ndërkohë Gjermania është e zemëruar me “zgjimin” e Macronit në lider të vetëquajtur të luftës, veçanërisht kur Berlini i ka dhënë më shumë armë sesa Parisi. Macroni nxiti polemika edhe javën e kaluar kur u shpreh se nuk duhet të përjashtohet dërgimi i trupave të shteteve perëndimore në Ukrainë. Liderët evropianë dolën menjëherë në kundërshtim.

 

Powered by WordPress