Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Macron, thirrje poltikanëve të moderuar të mobilizohen për të fituar ndaj së djathtës ekstreme

Macron, thirrje poltikanëve të moderuar të mobilizohen për të fituar ndaj së djathtës ekstreme

Presidenti francez Emmanuel Macron u bëri thirrje të mërkurën politikanëve të moderuar si nga e majta edhe nga e djathta që të mobilizohen për të mundur të djathtën e skajshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që ai i shpalli pas humbjes së thellë të partisë së tij në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Zoti Macron iu drejtua votuesve francezë për herë të parë që nga vendimi i tij i befasishëm të dielën për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen me dy raunde më 30 qershor dhe 7 korrik, tre javë pasi partia Bashkimi Kombëtar ku bën pjesë politikania e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen triumfoi në zgjedhjet për Parlamentin e Bashkimit Evropian.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën, Presidenti Macron tha se vendosi ta ndërmerrte vendimin që mbart rrezik politik, sepse nuk mund ta injorojë realitetin e ri politik, pasi partia e tij pro-evropiane pësoi disfatë të thellë dhe fitoi më pak se gjysmën e mbështetjes së Bashkimit Kombëtar që udhëhiqet nga Jordan Bardella.

Ndryshe nga fjalimet e tij të fundit para kombit, në të cilat zoti Macron është përqendruar tek lufta e Rusisë ndaj Ukrainës dhe tek nevoja për politika të përbashkëta evropiane të mbrojtjes, të pavarura nga Shtetet e Bashkuara, presidenti francez iu përqendrua të mërkurën tek çështjet e brendshme, që kanë qenë në qendër të së djathtës së skajshme, si frenimi i emigracionit, si dhe lufta kundër krimit dhe separatizmit islamik në Francë.

Zoti Macron, të cilit i kanë mbetur tre vjet nga mandati i tij i dytë presidencial, shpreson që votuesit të bashkohen për të frenuar të djathtën ekstreme në zgjedhjet kombëtare, ndryshe nga ç’ndodhi me ato evropiane. /VOA