Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Macron i kërkon Netanyahut armëpushim të qëndrueshëm në Gaza

Macron i kërkon Netanyahut armëpushim të qëndrueshëm në Gaza

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar një “armëpushim të qëndrueshëm” në Gaza gjatë një telefonate me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë zyra e tij, pasi një krizë humanitare në përshkallëzim ka përfshirë territorin palestinez.

“Franca do të punojë në ditët e ardhshme në bashkëpunim me Jordaninë për të kryer operacione humanitare në Gaza”, shtoi presidenca franceze në një deklaratë, sipas AFP.

Macron, një aleat i Netanyahut që nga fillimi i luftës së shkaktuar nga sulmi i paprecedentë i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, i shprehu kryeministrit izraelit “shqetësimin e tij më të thellë” për vdekjet e civilëve dhe emergjencën humanitare në Gaza.

Ai insistoi gjithashtu në rëndësinë e masave për t’i dhënë fund dhunës nga kolonistët izraelitë kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe parandalimin e vendbanimeve të reja të planifikuara.

Zyra e Netanyahu tha gjatë telefonatës se kryeministri falënderoi Macron për “përfshirjen e Francës dhe gatishmërinë e saj për të ndihmuar në rivendosjen e sigurisë përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin”.

Macron ka ashpërsuar vazhdimisht kritikat e tij ndaj Izraelit lidhur me ofensivën e tij në Gaza, raporton The Guardian.

Javën e kaluar ai tha se qëllimi i Izraelit për të luftuar terrorizmin nuk do të thotë se duhej të “rrafshonte Gazën”, duke i bërë thirrje qeverisë “të ndalojë këtë përgjigje sepse nuk është e përshtatshme dhe që të gjitha jetët vlejnë njësoj dhe ne i mbrojmë ato”.

 

Powered by WordPress