Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Ma jep një ilaç për ankth”, kërkesa për blerjen e anti-depresantëve në rritje

“Ma jep një ilaç për ankth”, kërkesa për blerjen e anti-depresantëve në rritje

Paralelisht me rritjen e numrit të pacientëve të prekur nga ç’rregullimet mendore, është shtuar edhe kërkesa për blerjen e ilaçeve që trajtojnë ato. Stresi, depresioni dhe ankthi nuk zgjedhin moshë e as gjini. Si pasojë e simptomave të këtyre sëmundjeve, një numër i madh i pacientëve u drejtohen barnatoreve për të blerë “Diazepam”, “Xanax”, e lloje të ilaçeve të tjera të ngjashme. Derisa edhe me shqetësues është fakti se shpesh ato po kërkohen pa recetë nga mjeku.

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Faton Kutllovci thotë se numri i pacientëve që janë prekur nga stresi, ankthi dhe depresioni është rritur rreth 40 për qind në vitin 2023, krahasuar me atë paraprak.

Kutllovci për KosovaPress, tregon se në 2023-në janë ofruar rreth nëntë mijë shërbime ambulantore më shumë, krahasuar me 2022-në.

“Mund të konstatoj se marrë në përgjithësi dhe krahasuar me vitin e 2022, gjatë vitit 2023, në ambulanten specialistike kemi ofruar rreth tetë mijë apo afër nëntë mijë shërbime ambulantore më shumë sesa në vitin 2022…

Kjo është tregues i dy dukurive, e para se ka filluar të bie stigma dhe stigma është ai paragjykimi që i është bërë personave apo nevojës për ta vizituar profesionistin e shëndetit mendor dhe e dyta mund të konstatojmë se niveli i rritur i stresit ka rritur numrin e personave që kanë kërkuar shërbime në Klinikën e Psikiatrisë, kryesisht nga çrregullimet e ankthit dhe çrregullimet e përziera të ankthit dhe depresionit, përfshirë edhe çrregullimin depresiv dhe unë mund të konstatoj se diku rreth 30-40 për qind është numri më i madh i personave me këto çrregullime krahasuar me vitin 2022”, thotë Kutllovci.

Ai tutje rendit disa shkaqe që kontribuojnë në rritjen e të prekurve nga këto çrregullime dhe kërkesën për të blerë ilaçe për kurimin e tyre.

“Përshkrimi jo protokollar i terapisë i cila përdoret për trajtimin e çrregullimeve psikike, ose barnat psikotrope, e që shumicën e herëve e bëjnë personat të cilët nuk janë psikiatër. Për fat të keq, ka raste kur këto barna përshkruhen nga psikologët, internistët, neurologët…Psikologu të shkruajë terapi, kjo nuk është e pranueshme. Internisti e shkruan Xanax-in, pothuajse çdo i dyti i treti pa e marr në konsideratë që ajo është mezodiazepim me veprim të shpejtë dhe mbi bazën e kësaj rrit rrezikun për të zhvilluar varësi…Fenomen tjetër është… Disa persona që punojnë në barnatore e që marrin guximin të ndërhyjnë në recetën e përshkruar nga profesionisti i shëndetit mendor.

“‘Mos e merr këtë se është e rëndë, mos e merr këtë se është ashtu’. Ka raste kur personat kanë pësuar edhe zhvillim të çrregullimeve më të rënda mendre, por edhe fatalitet për shkak se kanë ndërprerë përdorimin e barnave me rekomandim nga barnatorja”, thekson Kutllovci.

Po ashtu, edhe neurokirurgu, Afrim Blyta, ka thënë për KosovaPress se mundësia e qasjes në medikamente për trajtimin e çrregullimeve mendore është e lehtë në vendin tonë, derisa thekson kjo po ndikon në përkeqësimin e shëndetit të pacientëve.

“Në parim mund të them po, për arsye se mundësia e qasjes deri te këto medikamente është jashtëzakonisht e lehtë, duhet të jetë e kundërta. Medikamente të cilat kanë efekt në funksionimin e sistemit nervor qendror, duhet të kontrollohen jashtëzakonisht shumë dhe në momentin kur dikush ka ndonjë shqetësim i cili ka të bëjë me shëndetin mendor e zgjidh në mënyrë të natyrshme shqetësimin, mënyra më lehtë është nëpërmjet konsumimit të pa kontrolluar të medikamenteve, pa këshillën e mjekut, specialistit dhe drejtpërsëdrejti në barnatore.

Fatkeqësisht ndodhë tek ne, e merr medikamentin të cilin e kërkon pa kurrfarë kontrolli…Shkaqet janë nga më të ndryshmet, të llojllojshmet, njerëzit kur kanë ankesa nuk shkojnë ta marrin këshillën prej profesionistit të shëndetit mendor, mendojnë ta zgjidhin situatën në mënyrë të drejtpërdrejtë, e shpeshherë një gjë e tillë çon deri tek komplikimet e më vonshme”, thotë Blyta.

Edhe farmacisti, Valon Azemi e pohon se është vërejtur një rritje prej rreth 30 për qind e kërkesave për këto ilaçe. Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, ai potencon se pacientët po kërkojë t’i blejnë anti-depresantët pa recetë të mjekut, për çka thotë se refuzon ta bëjë një gjë të tillë.

“Mund të themi nga përvoja jonë disavjeçare në barnatore, se në farmacinë tonë ka një rritje të numrit të qytetarëve të cilët kërkojnë për këto lloje të barnave. Nga përvoja mund të themi se rritja mund të jetë rreth 20 deri në 30 për qind. Është e vërtetë që pacientët kërkojnë të blejnë këto barna pa recetë të mjekut. Por, ne nuk i japim ato pa përshkrim dhe e kemi obligim t’i këshillojmë këta pacientë që të vizitohen tek profesionistët e fushës. Sa i përket moshës së pacientëve, fillojnë nga mosha rreth të 20-ve , duke vazhduar me 30, 40 e deri mbi 50 vjeç. ‘Më jep një tabletë për gjumë, për stres, për ankth’, janë disa nga kërkesat e pacientëve. Por, ndonjëherë i kërkojnë edhe me emra specifik ilaçet”, thotë Azemi.

Përveç kësaj, sipas të dhënave të dërguara për KosovaPress nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), mbi 600 mijë paketime me Xanax, Diazepam, Clonapezam janë importuar në vendin tonë gjatë vitit 2023 dhe katër-mujorit të këtij viti.

Këto ilaçe konsiderohen të jenë ndër më të përshkruarat dhe të kërkuarat për trajtimin e çrregullimeve mendore.

“Referuar të dhënave të verifikuara në sistemin tonë elektronik bazuar në kërkesën e mëposhtme për periudhën e kërkuar kohore (2023, katërmujori i viti 2024), ka rezultuar me këto të dhëna: Produkti Xanax është importuar me sasi prej 98 104 paketime, produkti Diazepam është importuar me sasi prej 442 751 paketime, produkti Clonazepam është importuar me sasi prej 67 000 paketime”, thuhet në përgjigjen e AKPPM-së dërguar përmes emailit. /kp/

Powered by WordPress