Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur të publikojë rezultatet preliminare për kandidatët në garën për asamblenë komunale në Fushë-Kosovë.
Sipas të dhënave nga Qendra Komunale e Numërimit (QKN), ku janë numëruar 18.64% e votave, bartësi i listës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Shpend Bardiqi, kryeson me 872 vota. Pak më pas ndiqet nga bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Mirlinda Krasniqi, e cila ka marrë 861 vota.
Në listën e LVV-së, pas Bardiqit vijnë Durim Hajra me 123 vota dhe Kushtrim Mirena me 101 vota, ndërsa kandidatët e tjerë kanë nën 100 vota. Nga ana e LDK-së, pas Krasniqit, kandidati me më së shumti vota është Laureat Gojnovci me 102 vota, ndërsa të tjerët janë nën 100.
Në garën për kryetar të Fushë-Kosovës, sipas rezultateve preliminare, do të ketë balotazh mes kandidatit të LVV-së, Valon Prebreza, i cili ka marrë 45.14% të votave, dhe kandidatit të LDK-së, Besnik Osmani, me 36.62%.
Rezultatet e plota po përditësohen vazhdimisht në faqen zyrtare të KQZ-së, ku qytetarët mund të ndjekin zhvillimet e fundit në garat komunale në të gjitha komunat e Kosovës.