Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > LVV: Fiton Votat, Kryeson Garën, por Humb Pushtetin?

LVV: Fiton Votat, Kryeson Garën, por Humb Pushtetin?

Shruan: Shenoll Muharremi

Strategjia e Albin Kurtit po duket sikur një rrugëtim drejt opozitës. Dje e kam testuar se çfarë do të nënkuptonte nëse LVV tkurret nga niveli i vitit 2021, por rritet nga baza e tyre, apo realiteti i zgjedhjeve të 2019-ës. Edhe ky skenar sugjeron dhe konfirmon se LVV po shkon potencialisht drejt nivelit rajonal të 300 mijë votave në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Një mesatare mes 2021 dhe 2019, apo një rezultat që e korrigjon nga zgjedhjet e fundit, por ende pasqyron dominimin dhe rritjen e tyre nga viti 2019, nënkupton që LVV do të ketë rreth 330 mijë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit. Me skenarin e 830 mijë votave dalje, kjo nënkupton rreth 38% të votave dhe 43 vende në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë skenar, duke marrë parasysh gjuhën dhe stilin elektoral polarizues dhe armiqësor kundër të tjerëve, LVV dhe Albin Kurti do ta kenë tepër të vështirë të formojnë qeverinë e re. Ky rezultat, kur integrohen pozicionet e skajshme që nuk lejojnë shumë hapësirë për kompromise me të tjerët, e dërgon LVV-në në opozitë.

A është kjo një strategji e zgjuar nga LVV? A është kjo diçka që Kurti dëshiron? Nëse LVV dhe Albin Kurti e kanë ndërtuar strategjinë elektorale ashtu siç e paraqesin “suksesin” ekonomik të Kosovës vitet e fundit, ky mund të jetë një keqkuptim dhe një strategji e gabuar nga kampi i LVV-së. Fiton votat, por e humbas pushtetin.

Kosova ka nevojë jo për polarizime të thella, por për parti të matura, të cilat në momente të caktuara bëjnë kompromise për të mirën e përbashkët. Në këtë kontekst, LVV, sipas këtij skenari të rezultateve, e meriton të jetë në qeveri si partia kryesore, por duhet të bashkëpunojë me një parti tjetër.

Megjithatë, menaxhmenti i partisë së tyre po përdor strategji që me siguri do ta përjashtojnë LVV-në nga mundësia për të formuar qeverinë, edhe pse do t’i fitojë votat. I fiton votat, del e para… por e humb pushtetin dhe ndikimin. Ky është rezultati eventual i kësaj strategjie elektorale të LVV-së.