Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Lutemi” që Albin Kurti të jetë kryeministër në vend të Glauk Konjufcës

“Lutemi” që Albin Kurti të jetë kryeministër në vend të Glauk Konjufcës

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Presidentja Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme e mandatoi për kryeministër Glauk Konjufcën. Këtë veprim ajo e arsyetoi duke i bazuar në faktin ky subjekt politik i ka ofruar asaj se i ka gjasat më të mëdha që t’i siguroi votat e nevojshme për votim të Qeverisë së re, pas dështimit të Albin Kurtit me 26 tetor.

Duke qenë se është interes jetik, ka vazhduar presidentja Osmani, që te kemi një qeveri legjitime, për ta miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2026, ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare me Bashkimin Evropian për sigurimin e fondeve të Brukselit lidhur me Planin e rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor, dhe atë me Bankën Botërore, nuk kishte opsion tjetër, pos të provonte këtë shans të fundit për t’i shmangur zgjedhjet.

Mirëpo, në të vërtetë, është vetë Albin Kurti, që e ka pranuar publikisht se as nominuari i dytë i kësaj partie nuk i ka numrat. Prandaj, qëllimi shihet qartë se në vend të sigurimit të një Qeverie legjitime është se si të blihet edhe pak kohë, që data e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare të përputhet me prezencën sa më të madhe diasporës në Kosovë në mënyrë që ky subjekt të tentojë ta maksimalizojë këtë kontingjent të votave, që kohën e fundit ka dëshmuar  se është shumë më shumë lojale ndaj Lëvizjes Vetëvendosje se sa partive tjera.

Sidoqoftë, edhe sikur hipotetikisht të mos kishte asnjë zgjidhje tjetër, dhe në fund që Kosova do të ndodhej përballë dy opsioneve ndërmjet Glauk Konjufcës në njërën anë dhe Albin Kurtit në anën tjetër, nuk ka dyshim se zgjidhje më e mirë për Kosovën do të ishte i dyti në raport me të parin.

Ekzistojnë shembujt të shumtë se si nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë shumë më brutal se sa lideri i  saj sa i përket veçanërisht sulmeve si ndaj tjetrit të ndryshëm politik ashtu edhe ndaj institucioneve juridike dhe kushtetuese. Rasti i fundit ka të bëjë me qëndrimet  e tyre ndaj Gjykatës Kushtetuese. Glauku punën e saj e ka cilësuar në termat tradhtisë kombëtare, kurse Albin se ky institucion ka për qëllim ta bllokojë procesin e reformave të Qeverisë së tij.

Për më shumë Albin Kurti, ka përgjegjësi politike, nëse jo ndaj shtetit, të paktën ndaj organizatës që e përfaqëson në tërësi. Kurse Glauku ka dëshmuar se vepron i nxitur vetëm nga ndjenja e detyrës për eprorin politik, si trampolinë për t’u akomoduar politikisht.

Në fund të fundit, vetë lutja e tij publike që populli pret që Albin Kurti të rikthehet edhe më i madh se në vitin 2021, tregon për “misionin” e tij real politik. Që ai realisht edhe këtë detyrë e ka pranuar nga kalkulimi për të krijuar një klimë të mundshme elektorale që do të ishte në fund në shërbim të Albin Kurtit dhe asgjë më shumë. Me këtë rast rrugëtimi i tij politik ka treguar se i njëjti asnjëherë nuk ka qenë në gjendje të dalë nga kafazi mental i asaj vetëdije që fqinjëron me “banalitetin e së keqes”. E historia ka treguar se më të dëmshëm për shoqëritë njerëzore, ka qenë bashkëjetesa bizare e ekstremit të brendshëm më normalitetin e jashtëm.