Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, njëkohësisht edhe kandidate për deputete, Jehona Lushaku Sadriu, ka për qëllim implementimin e planit për mësimin tërëditor në shkolla.
Lushaku Sadriu ka zhvilluar takime sot me mësimdhënës e drejtorë shkollash në Komunën e Ferizajt, pasi që fokusi i saj është që mësimi tërëditor të mundësohet në tërë Kosovën.
Sipas Lushaku Sadriut, mësimi tërëditor ul koston e shpenzimeve familjare, fuqizon dhe pavarëson ekonomikisht gratë, dhe padyshim rrit cilësinë e arsimit.
“Bashkë me kryetarin e LDK-së në Ferizaj z. Visar Azemi takuam mësimdhënës e drejtorë shkollash me të cilët diskutuam për vizionin për arsimin dhe shkollat. Pata kënaqësinë, që në veçanti të prezantoj modelin e Mësimit tërëditor në shkolla dhe të diskutonim kushtet dhe mundësitë e kalimit të shkollave të Ferizajt në mësim tërëditor. Mësimi tërëditor ul koston e shpenzimeve familjare, fuqizon dhe pavarëson ekonomikisht gratë, dhe padyshim rrit cilësinë e arsimit. Fëmijët e Ferizajt dhe të gjithë Kosovës meritojnë shkolla dinjitoze, sipas modelit evropian të mësimit gjithëditor. Ashtu siç ishte e mundur në kryeqytet, me LDK-në do të jetë e mundur edhe në Ferizaj!”, thuhet në postimin e saj.