Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ​Lushaku-Sadriu: Jemi për konstituim kushtetues, jo sipas qejfit të dikujt

​Lushaku-Sadriu: Jemi për konstituim kushtetues, jo sipas qejfit të dikujt

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku Sadriu ka përsëritur qëndrimin për mospjesëmarrje në mbledhjen e thirrur nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha. Ajo tha ky i fundit e shpalli kuvendin e konstituar, ani pse nuk u kompletua kryesia.

Në konferencë për media, Lushaku-Sadriu tha se “jemi për konstituim kushtetues dhe jo sipas qejfit të dikujt”.

“Për shumë seanca të cilat u shpallën jo kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese kanë qenë të paralajmëruara nga ne dhe i kemi bërë thirrje partisë së parë që të mos ndryshojë metodën e votimit, që të mos bëjë propozime të tjera të cilat nuk janë në harmoni me Kushtetutën. Në këtë frymë ka qenë edhe seanca e fundit, në atë seancë ku pa u kompletua kryesia është shpallur kuvendi i konstituar. Ne jemi vërtetë për konstituim kushtetues të Kuvendit të Kosovës, dhe jo sipas qejfit të dikujt. Kushtetuta është libri kryesor në bazë të cilit na obligohemi si qytetar të reagojmë, të funksionojmë si shtet. Në mbledhjen e cila është thirrur nga kryetari i kuvendit nuk do të marrim pjesë, pikërisht për të shprehur pakënaqësinë për shpalljen e konstituimit derisa nuk është kompletuar kryesia”, deklaroi ajo.

Ajo tha se do të shohin si do të veprojnë tutje, derisa u pyet se çfarë do të ndodhë pas mbledhjes së mbajtur.

“Ne do të shohim fazat se si do të veprojmë, gjithsesi bëjmë thirrje që të gjitha partitë politike, kryesia para se gjithash, kryetari t’i kthehet veprimeve kushtetuese. Ai duke ndarë grupet minoritare na i pamundësoi neve që të marrim pjesë në një votim ashtu siç kanë qenë praktikat institucionale dhe ashtu siç e definon rregullorja e punë”, shtoi ajo.

Deputetja e LDK-së e ka quajtur gabim teknik votën për Emilja Rexhepi, meqë tha se edhe për këtë votim është dashur që të shkohet pako

“Ajo është dashur që të shkojë pako, ashtu siç është dakorduar në kryesi. Aty ka pasur një lloj gabimi teknik që ne nuk e vërejtëm që është bërë ndarja, por gjithsesi mendojmë që praktika institucionale brenda kuvendit, ashtu edhe e definuar në rregulloren e punës do të duhej që të respektohej”, përfundoi ajo.

Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit, por jo edhe kryesia prej pesë anëtarësh. Nënkryetarë u zgjodhën Albulena Haxhiu – Vetëvendosje, Vlora Çitaku PDK, Kujtim Shala LDK dhe Emilja Rexhepi nga komunitete jo shumicë serbe.

Pasi nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk u zgjodh, Dimal Basha tha të shtunën se janë konsumuar të gjitha opsionet, duke e shpallur të mbyllur seancën konstituive.