Lum Gashi, kandidati për Asamble në Komunën e Prishtinës nga radhët e PDK-së, ishte i ftuar në emisionin “Përtej tregimit” me Valentina Ahmetin në TV Arbëria, ku ndau planin e tij për Prishtinën.
Në intervistë, Gashi theksoi se lista e Uran Ismailit, kandidatit të PDK-së për kryetar të Prishtinës, është ndër më të mirat në nivel vendi.
“Lista e Uranit është njëra prej listave më të mira në nivel të Kosovës. Qytetarët me të vërtetë kanë çka me zgjedh,” u shpreh ai.
Duke qenë edhe drejtor i një shkolle në Kosovë, Gashi foli për rëndësinë e reformimit të sistemit arsimor, duke përmendur nevojën për adoptimin e modelit amerikan të arsimit.
“Kisha dashtë shumë që sistemi amerikan i shkollimit me qenë në krejt Kosovën. Edhe ashtu ne jemi popull shumë pro-amerikan, por edhe e kanë sistemin më të mirë të shkollimit në botë,” tha Gashi.
Ai shtoi se si person që është çdo ditë në kontakt me sfidat e sistemit arsimor, e njeh nga afër gjendjen reale në shkolla, dhe theksoi domosdoshmërinë për kushte më të mira për nxënësit.
“Është shumë e rëndësishme që shkollat me pas kushte të përshtatshme për qëndrimin e fëmijëve, qoftë tërë ditën aty apo për një periudhë të caktuar. Duhet me pas standard të ushqimit, standard të sanitacionit, ambiente të pastra e kreative dhe laboratorë profesionalë ku fëmijët nuk ndihen të mërzitur,” deklaroi ai.