Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Lulzim Peci: Nuk kemi pasur probleme në zgjedhje që nga viti 2010, ky degradim nuk është shenjë e mirë për Kosovën

Lulzim Peci: Nuk kemi pasur probleme në zgjedhje që nga viti 2010, ky degradim nuk është shenjë e mirë për Kosovën

Ish-diplomati Lulzim Peci, i ftuar në ARB Debat me Rid Berishën në TV Arbëria, ka folur për aktualitetin politik në vend.

Ai ka komentuar procesin zgjedhor që iu nënshtrua vendi më 9 shkurt, ku tha se në ditën e zgjedhjeve populli i Kosovës ka dhënë provimin e demokracisë.

“Dita e zgjedhjeve ka qenë fenomenale. Nuk kemi pasur asnjë incident të theksuar, ka shkuar në mënyrë të qetë dhe populli i Kosovës e ka dhënë provimin e demokracisë. Edhe njëherë, kjo po tregon që populli në Kosovë ka një kulturë mjaft të fortë, ndoshta më të mirën në rajon,” ka thënë ai në ARB Debat.

Ish-diplomati tutje ka theksuar se KQZ-ja dështoi në natën e zgjedhjeve, pas problemeve që u shfaqën në sistem.

“Problemet filluan me KQZ-në dhe aty e shoh një lloj dështimi të sistemit. Do të thotë, patëm degradim të cilësisë në raport me atë sesi është menaxhuar, dhe sidomos dhënia e rezultateve nga KQZ-ja,” tha ai.

Lulzim Peci gjithashtu thotë se Kosova nuk ka pasur probleme lidhur me zgjedhjet që nga viti 2010 dhe se degradimi, siç e quan ai problemin që u shfaq në natën e zgjedhjeve, nuk është në të mirë të Kosovës.

“Ne nuk kemi pasur ndonjë problem me zgjedhjet që nga viti 2010. Ky degradim nuk është shenjë e mirë për Kosovën, sepse besoj se një vend duhet të ecë përpara, jo të ketë degradim,” ka thënë ai. /TV Arbëria