Të paktën 5 persona, përfshirë tre adoleshentë, kanë mbetur të plagosur rëndë në një shkëmbim zjarri të lidhur me trafikun e drogës në perëndim të Francës.
Bëhet fjalë për rastin më të fundit të dhunës ku përfshihen fëmijët.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes përpara një restoranti në perëndim të qytetit Puatier dhe u kthye në një përleshje ku u përfshinë deri në 600 persona, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Retaljë.
“Nisi si një shkëmbim zjarri në një restorant dhe degradoi në një grindje mes bandave rivale ku u përfshinë qindra vetë”, tha Retaljë.
Një djalë 15-vjeçar i plagosur ndodhet në gjendje kritike për jetën. Një burim policor tha për gazetën “Le Figaro’” se adoleshenti ishte qëlluar në kokë dhe se dy të rinj të tjerë, të moshës 16 vjeç, ishin gjithashtu mes të lënduarve.Ministri Retaljë dënoi atë që e quajti “Meksikanizimi” i vendit nga narko-trafikantët, të cilët sipas tij nuk njohin më kufij.
“Këta janë trafikantë që përdorin metodat më mizore për të larë hesapet dhe për të kënaqur epshin e tyre për fitime. Kjo nuk po ndodh vetëm në Amerikën e Jugut, por në Rene dhe Puatier”, deklaroi Retaljë.
Ai shtoi se Franca ndodhej në një pikë kritike kur bëhej fjalë për dhunën e lidhur me drogën, nisur edhe nga një tjetër episod kriminal i ndodhur në veri-perëndim të vendit, ku një 5-vjeçar u plagos me armë zjarri.
/Euronews Albania/