Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Lufta pa fitues” ne Lindje te Mesme

“Lufta pa fitues” ne Lindje te Mesme

Shkruan: Afrim Kasolli

Pas proklamimit të fazës se re te luftës nga Izraeli, shumë analistë kanë ngritur dilema se cilat janë qëllimet e kësaj strategjie?

Aktualisht ky shtet e ka zhvendosur gravitacionin e konfliktit kryesisht në kufijtë verior kundër Hezbollah-ut në Liban, krahas atij në rripin e Gazës. Ndonëse qëllimet e inkursionit tokësor në këtë enklavë, siç ishin projektuar nga ky shtet nw fillim, nuk janë realizuar ende. Po ashtu, operacionet luftarake janë intensifikuar me te madhe edhe në Bregun Perëndimor. Praktikisht, tashmw lufta është zhvendosur në disa fronte, duke mos përjashtuar këtu as shpërthimin kohe pas kohe me grupin rebel Huthi në Jemen.

Për shume kënd qëllimi kryesor i kryeministrit Benjamin Netanyahu mbetet provokimi i një konflikti me Iranin, pasi ky shtet konsiderohet sponzorizuesi dhe mbështetësi kryesor i këtyre grupeve të armatosura. Prandaj, ai edhe po e mban gjallë këtë konflikt duke i minuar përpjekjet diplomatike të negociuara nga Uashingtoni, Doha dhe Kajro, për një armëpushim. Mirëpo, ky skenar vështirë që do të mund të realizohet pa ndihmën e SHBA-ve. Në anë tjetër sipas, historianit Ilan Pappe, sot po ashtu Qeveria e Izraelit, dominohet nga ai mentalitet politik mesianik që kalkulon se tashmë është situata ideale për realizmin e projektit të tyre fanatik për zgjerim të territoreve shtetërore.

Ndërkohë, Uashingtoni ka pak gjasa që të bëhet pjesë e kësaj loje në këtë kohë, sepse kjo do te nënkuptonte zhvendosje të madhe për një kohë të gjatë nga objektivi madhor strategjik, kufizimi i Kinës, e te mos flasim për luftën në Ukrainë.

SHBA-të ka kohë që e mendonin një zhvendosje graduale nga Lindja e Mesme, për çka edhe u angazhuan për afrim sa më të madh të Izraelit me shtetet arabe, me qëllim që ato të fokusoheshin në Azi-Paqësor. Mirëpo, tensionet gjithnjë e te shtuara, e rrezikojnë pikërisht projektin e aleancës arabo-izraelite si kundër peshe ndaj Iranit. Sepse siç dihet, mos zgjidhja e kauzës palestineze ka qenë përherë pengesë për relaksim të klimës ndërmjet këtyre popujve. Për me shumë këto zhvillime mund t’i tjetërsojnë edhe me tej raportet e SHBA-ve me Qeverinë aktuale të Izrael-it .

Këto kundërthënie tregojnë që Lindja e Mesme, tashmë po zhytet në një kaos gjithnjë e me te madh pa një “fitues të qartë” në horizont. /TV Arbëria

Powered by WordPress