Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Lufta 20 vjeçare serbo-ruse për ndryshimin e rrëfimit të UÇK-së

Lufta 20 vjeçare serbo-ruse për ndryshimin e rrëfimit të UÇK-së

Shkruan: Agron Hoti

Arrestimi i djeshëm i dy të dyshuarve (mjerisht) shqiptarë si agjentë të BIA-s serbe e konfirmon atë që e them me vite që Serbia e Rusia – përmes aleatëve të tyre jashtë Kosovës (shumë sosh evropianë) dhe armatës së saj prej mijëra kinseshqiptarësh brenda Kosovës – s’janë ndalur së përpjekuri ta ndryshojnë rrëfimin e madh pozitiv të UÇK-së duke e paraqitur Kosovën si shtet që ishte “shkatërruar për 20 vite” dhe se fajtorë për tërë këtë “shkatërrim” na qenkëshin Krerët e UÇK-së dhe vetë UÇK.

Ishte e pritshme kjo nga Serbia e Rusia, por jo nga shqiptarzinjtë, të cilët, në vend që ta sulmonin Serbinë e Rusinë, kishin zgjedhur ta përbaltnin dhe poshtëronin krenarinë e tyre kombëtare shqiptare, historisë më të fundit të së cilës i prin padyshim UÇK me Krerët e saj, të cilët edhe sot po paguajnë çmim lirie në Hagë.

Sa më shumë që Rusia po e fuste në kontroll BE-në nga viti 2000 kur edhe kishte ardhur Putini në pushtet në Rusi e deri në shkurt 2022 kur Rusia edhe bëri aresion të hapur në Ukrainë, pra sulmoi Evropën, aq më shumë po forcohej Vuçiçi në Serbi në kurriz të poshtërimit dhe denigrimit të Krerëve të UÇK-së me në krye Hashim Thaçin me shokë. Mjerisht, edhe vizat nuk po i hiqeshin Kosovës pikërisht nga kontrolli që Moska po i bënte Brukselit për të mos u bërë kurrfarë favore eurointegruese Krerëve të UÇK-së të prirë nga Hashim Thaçi.

Të kthehemi te tema kryesore. Dyshimet e para janë se këta dy të dyshuar të BIA-s serbe po përpiqeshin ta ndryshonin rrëfimin për Masakrën e Reçakut, pra ta përgatisnin opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë se kishte qenë UÇK ajo që e kishte bërë atë masakër e asesi forcat kriminale serbe. Një ndryshim i tillë i rrëfimit do t’ua rëndonte punën Krerëve të UÇK-së në Hagë dhe për më tepër do të ishte fatal për të ardhmen e vetë shtetit të Kosovës.

Prandaj të gjitha sulmet brutale gjatë dhe pas luftës Serbia dhe Rusia i kishin drejtuar vetëm kundër Krerëve të UÇK-së dhe vetë UÇK-së. Ku dhemb dhëmbi, shkon gjuha. Si rezultat i këtij mega-inxhinieringu anti-shqiptar brenda dhe jashtë Kosovës, sot rrëfimi i madh në Kosovë për Krerët e UÇK-së dhe vetë UÇK-në ka rënë pothuajse për toke, sepse ka shumë kinseshqiptarë që më shumë e lartësojnë figurën gjenocidale të Millosheviqit që kishte prerë shqiptarë sesa Krerët e UÇK-së që e kishin luftuar Millosheviqin për çfarë edhe kishin marrë mbështetjen e tërë botës demokratike.

Qëllimi i Serbisë e Rusisë vazhdon të jetë dështimi i shtetit të Kosovës prandaj edhe po e shtyjnë dialogun me Kosovë sa më shumë që të jetë e mundur, sepse dështimi i shtetit të Kosovës do të ishte dështim i SHBA-së dhe Perëndimit që kishin mbështetur çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës nga A-Zh për herë të parë në histori.

Dhe pikërisht pse periudha 1999-2020 përbën periudhën më të artë dhe vetë mrekullinë shqiptare ngase Kosova për herë të parë në histori ishte bërë shtet dhe po e përmirësonte mirëqenien e standardin jetësor më shpejt se askush tjetër në rajon, Serbia e Rusia me argatët e tyre brenda dhe jashtë Kosovës po e mbillnin farën e fëlliqtë se Kosova na qenkësh “shkatërruar për 20 vite”.

Pra, sipas Serbisë, Rusisë dhe armatës së kinseshqiptarëve më e zhvilluar na paskësh qenë Kosova kur Serbia prente fëmijë e gra shtatzëna gjatë vitit 1998-1999, sesa nga viti 1999-2020 kur shqiptarët po e shohin, po e prekin dhe po e përjetojnë lirinë e munguar me shekuj të tërë.

Prandaj, kapja e këtyre agjentëve të dyshuar është vetëm një pikë ujë në detin e madh të përbërë nga dhjetëra mijëra kinseshqiptarë që edhe sot vazhdojnë t’i bëjnë argatin Serbisë dhe Rusisë.

Themes by WordPress