Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Loja me “zjarr” e shtetit të Kosovës në Maqedoni të Veriut

Loja me “zjarr” e shtetit të Kosovës në Maqedoni të Veriut

Shkruan: Afrim Kasolli – Shumë kush mund të ketë vërejtje ndaj këtij titulli, sepse nuk bën të identifikohet shtetit i Kosovës me politikat intervenuese të kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit në proceset e brendshme elektorale në shtetin fqinj. 

Se qytetarët e Kosovës në tërësi nuk kanë të bëjnë asgjë me dy politikanë aventurierë që me qasjen tyre janë duke manipuluar më njërën nga çështjet më nevralgjike gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, në një kontekst tejet të acaruar ndërkombëtar.

Në fakt, ata janë edhe përfaqësues të shtetit te Kosovës, dhe ky i fundit nuk do të mund të shmanget nga përgjegjësia për pasojat e mundshme që mund t’i prodhojë politika e drejtueseve të tij në raport me vendet fqinje. Ashtu siç nuk mund të shmanget Serbia si shtet nga projekti i Milosheviqit dje dhe i Vuqiçit sot.

Siç dihet, që kur u shfaq “Kriza Lindore” në fund të shekullit 19-të, Maqedonia ishte njëra nga temat më sensitive të saj. Historiani i njohur anglez A.J.P Teylor që pas Kongresit të Berlinit, kishte shkruar se Maqedonia dhe Bosnja, si dy nga rezultatet e Kongresit përmbanin “farën e dy katastrofave të mëdha”.

Duke marrë parasysh kryqëzimin e interesave të Greqisë, Serbisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë, si dhe pasojave që mund të krijonte për NATO-në, një konflikt ndërmjet këtyre vendeve për këtë territor që quhet Maqedoni, që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shkatërrimit të Jugosllavisë, SHBA-të e kanë trajtuar më prioritet të lartë stabilitetin e brendshëm të këtij shteti.

Sot, ky shtet ndodhet në NATO, pikërisht për shkak të implikimeve të sigurisë që krijon.

Se sa është e rëndësishme kjo temë, të gjithëve na kujtohet angazhimi i forcave politike anti-perëndimore në Maqedoni të Veriut të mbështetura nga Kremlini, për ta penguar atë për t’u anëtarësuar në kudër të Aleancës Veri-atlanikte. Ato kishin dalur kundër ndërrimit të emrit të kësaj republike dhe luftonin me çdo kusht që të dështonte Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar, më 17 qershor të vitit 2018 nga ish-kryediplomatët e Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kosijas, marrëveshje kjo që zhbllokoi procesin e integrimit të këtij shteti në strukturat euro-atlantike.

Ndërkohë, pikërisht takime sikurse ai i mbrëmshmi ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca në zyre të Qeverisë së Kosovës, sepse i njëjti nuk u mbajt në zyre të Vetëvendosjes, me disa nga përfaqësuesit e partive politike shqiptare dhe propozimi që duhet të mbështetet një kandidat për kryetar shqiptar në këtë shtet për zgjedhjet që do mbahen më 24 prill dhe 8 maj, në mënyrë të tërthortë do të ndikojnë vetëm në rikthimin e forcave të tilla retrograde në pushtet.

Një skenar të tillë e kishte provuar Albin Kurti edhe me kandidatin e tij, Blerim Rekën para katër viteve. Atëbotë, ai e kishte përkrahur këtë fundit kundër presidentit aktual Steve Panderovski të përkrahur nga LSDM dhe Bashkimi për Integrim Demokratik. Mirëpo, Albin Kurti në atë garë kishte pësuar fiasko elektorale. Prandaj, edhe siç duket ka vendosur të hakmerret për atë disfatë në kohën më kritike për të ardhmen e këtij shteti. Mirëpo, në këtë mënyrë nuk është duke iu hakmarrë Ali Ahmentit, por interesave perëndimore në këtë shtet.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut ose do të fitohen nga S. Panderovski, ose nga kandidati i VMRO-DPMNE-së. Dhe problemi është se kjo e fundit nuk është më partia e dikurshme që insistonte për një aleancë strategjike ndërmjet shqiptarëve dhe bullgarëve, por më shumë preferon riorientimin nga Serbia dhe Rusia. Madje është kategorike kundër ndryshimeve kushtetuese që do ta legalizonin komunitetin bullgar si kategori kushtetuese në këtë shtet, një kusht tjetër ky pas ndryshimit të emrit për anëtarësim në BE.

Prandaj, me fragmentarizmin e votës shqiptare këta të fundit nuk do të fitojnë asgjë. Vetëm se Maqedonia e Veriut do ta humb një kryetar të moderuar dhe të orientuar drejt integrimeve evropiane me një të fokusuar ka lindja. Madje, nuk është e rastësishme që ky manipulim zhvillohet me temën e presidentit. Sepse gara për këtë fundit zhvillohet para atyre parlamentare.

Me anë të kësaj loje të dyshimtë, për të përcaktuar agjendën elektorale dhe politike të partive shqiptare në atë shtet, Albin Kurti po tregon se më shumë i qëndron besnik lojalitetit ideologjik të qëllimeve të partisë së tij se sa interesave strategjike të shtetit të Kosovës, të cilat ka për detyrë t’i mbrojë.

Për më shumë nën emrin e kauzës së interesave pan-shqiptare që drejtohen nga një qendër e vetme, ai po dëshmon se ka filluar ta imitojë doktrinën politike të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për “botën serbe”. Ku tashmë edhe të parit i lejohet të ndërhyjë me lëvizjen e tij kudo që jetojnë shqiptarët, edhe pse në shtete të ndryshme.

Edhe ashtu ka filluar t’i ngjasojë këtij të fundit edhe në politikën e brendshme. Këtë fakt e pasqyroi dje Transparency International. Sipas raportit të kësaj organizate prestigjioze ndërkombëtare, nëse ka diçka që i bashkon këto dy vende është pikërisht fakti se në të dyja shtetet nuk është shënuar ndonjë përparim në luftën kundër korrupsionit. Pra në dallim nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina, pikërisht Serbia dhe Kosova, kanë vendnumëruar në këtë aspekt.

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

 

Themes by WordPress