Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > LOJA MASHTRUESE ME BRUKSELIN

LOJA MASHTRUESE ME BRUKSELIN

Nga Arben Fetoshi

Drejtuesit e Listës Serbe paskan “vajtuar” sërish, edhe në takimin me shefen e diplomacisë evropiane, znj. Kallas, duke i kamufluar qëllimet hegjemoniste të komandës së saj në Beograd, përmes narrativës së “viktimës”.

E paskan përsëritur “ankesën” se “populli serb po përjeton terror nga Kurti”, por nuk i kanë treguar se bëhet fjalë për luftim të bandave kriminale e mbyllje të strukturave minuese të një shteti tjetër, dhe nuk i kanë treguar se para pak ditësh kanë marrë një fond të majmë nga Kosova për mbështetjen e tyre si parti.

Paskan kërkuar prani më të madhe të KFOR-it (ushtarët e të cilit s’ka shumë që i kanë sulmuar e gjakosur), që tregon përpjekjen e tyre për delegjitimim të institucioneve të Kosovës, duke kalkuluar sigurimin e parakushteve për një “republikë serbe 2.0” në shtetin e Kosovës.

Pra, me retorikën perfide për “nevojën” e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ata nuk e fshehin planin kundër institucioneve, autoritetit dhe sovranitetit të Kosovës në atë territor. I njëjti tregim i stisur që vetëm ndryshon formë, nga Vuçiqi, Djuriqi e Petkoviqi deri te Kisha Ortodokse apo Akademia e tyre e Shkencave.

Duke shpifur e vajtuar për “ngacmime e sulme” nga shqiptarët, Serbia – edhe përmes Listës Serbe – po synon ta thellojë ndarjen, të nxisë destabilizim, t’i demonizojë institucionet dhe ta minojë rendin kushtetues të Kosovës, ndërkohë që vazhdon e “papenguar” politikën e spastrimit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës përmes “pasivizimit të adresave”.

Një strategji e vjetër manipulimi e “xhelatit si viktimë”, e cila po përgatit terrenin për të inskenuar “rezistencë civile”, duke kërcënuar jo vetëm Kosovën, por edhe vetë BE-në, demokracinë e praninë perëndimore në rajon.

Sot Kosova vërtet është në “ethet demokratike” për institucionet e reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, por kjo s’do të thotë që znj. Kallas (nënkupto: të gjithë faktorët ndërkombëtarë) të mos e “ndëshkojë” edhe më tutje lojën mashtruese të “vëllazërisë sllave” në Ballkan.