Në organizimin e Administratës Tatimore dhe Doganore të Hungarisë (NTCA) dhe përfaqësuesve të Qeverisë Hungareze, në kuadër të Presidencës Hungareze të BE-së, drejtuesit e administratave doganore nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian, bashkë me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe organizatave rajonale, u takuan në Budapest për të diskutuar avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe procesin e integrimit evropian.
Në adresimin e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, mirënjohu përpjekjet e autoriteteve të Hungarisë për organizimin e këtij takimi në kohën kur procesi i integrimit ka shënuar progres me nismat siç është plani i rritjes dhe proceset tjera integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Më tej Llugaliu shpalosi angazhimin e Doganës së Kosovës në ndërtimin dhe avancimin e kapaciteteve institucionale, duke kontribuar në mënyrë aktive në nismat rajonale dhe evropiane. Z. Llugaliu prezantoi gjithashtu qasjen proaktive të Doganës së Kosovës ndaj sfidave të bashkëpunimit rajonal dhe atij me vendet e BE-së, duke propozuar zgjidhje konkrete që fuqizojnë lidhjen ekonomike dhe tregtare të rajonit të l Ballkanit Perendimor me vendet e BE-së.
“Lehtësimi i tregtisë dhe bashkëpunimi me Doganën Shqiptare, Llugaliu theksoi rezultatet e bashkëpunimit të ngushtë me Doganën Shqiptare, duke përmendur suksesin e zhdoganimit në Portin e Durrësit dhe Porto Romano. Si rezultat, ekonomia e Kosovës ka kursyer rreth 9 milionë euro në vit, ndërsa qarkullimi përmes këtyre porteve drejt Kosovës është rritur me mbi 40%. Kjo rritje përkthehet në efikasitet më të lartë të zinxhirëve logjistikë dhe përfitime më të mëdha për ekonomitë e të dy vendeve”, thuhet në komunikatë.
Përveç kësaj, Llugaliu nënvizoi rolin e korridoreve të gjelbra dhe procedurave të harmonizuara në përmirësimin e qarkullimit të mallrave dhe lehtësimin e tregtisë ndërkufitare, duke përforcuar rolin e Doganës së Kosovës si një partner kyç në nismat rajonale dhe proceset integruese evropiane.
Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Kosovën ka njohur progresin në Kapitullin 29 (Dogana), duke vlerësuar përmirësimet strukturore dhe reduktimin e sfidave. Ky vlerësim konfirmon përkushtimin e Doganës së Kosovës për të avancuar jo vetëm në procesin e integrimit evropian, por edhe në përmirësimin e kapaciteteve operacionale dhe politikave të brendshme përmes reformave të vazhdueshme.