Ramiz Lladrovci, kryetar i komunës së Drenasit ka shkruar rreth kandidaturës për kryetar komune të Drenasit, nga PDK, në zgjedhjet e 12 tetorit.
Sipas Lladrovcit, legjitimiteti i kryetarit të degës po kontestohet nga ata që e shanë partinë dhe punuan kundër PDK-së.
“Në këto rrethana u kontestua legjitimiteti i kryetarit të degës, legjitimitet i kontestuar që nga viti 2021, nga ata që u larguan nga PDK dhe krijuan subjekt tjetër politik. Është kontestim nga ata që e shanë partinë dhe udhëheqësit e saj, punuan kundër PDK-së me mbi 18 profile të rreme, u kontestua nga ata që shkaktuan dëme milionëshe me ndikim në vota negative për projekte zhvillimore. Ky kontestim u legjitimua nga Selia qendrore.”, ka shkruar Lladrovci.
Ai tutje thotë se kandidati për kryetar komune të Drenasit do të caktohet me votim të fshehtë.
“Votimi “i fshehtë” në Kryesi të PDK-së po afron. E kuptoj se më shumë se për kandidaturën time, bëhet fjalë edhe për integritetin anëtarëve të kryesisë së PDK-së të cilët nuk duan të ballafaqohen me shefin e bedelëve. Disiplinën partiake, kam dëshmuar se e çmoj më shumë se anëtarët e emëruar të Kryesisë.”, ka thënë ai.
Tutje, ai thotë se “s’ka bir nane që e largon nga PDK”.
“Po e përsëris: Dje, sot, nesër, PDK. Nuk ka bir nane që mund të më largojë nga PDK dhe vizioni i heronjve tanë të luftës dhe paqes!”, ka shkruar ai.