Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Lladrovci kërkon përgjegjësi në PDK: “Duhet platformë e qartë dhe udhëheqje që e ndal degradimin e shtetit”

Lladrovci kërkon përgjegjësi në PDK: “Duhet platformë e qartë dhe udhëheqje që e ndal degradimin e shtetit”

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda Partisë Demokratike të Kosovës, duke komentuar deklarimet dhe urimet e drejtuesve qendrorë e lokalë të PDK-së pas dorëheqjes së Memli Krasniqi.

Ai tha se ndonëse qëndrimet miqësore dhe me mirëkuptim janë të natyrshme, ende nuk po adresohet përgjegjësia e organizimit të brendshëm të partisë, sidomos për strukturat nëpër degë dhe për, siç e quajti ai, “dështimin kapital” në rolin opozitar ndaj qeverisë aktuale.

Lladrovci kritikoi mungesën e analizës së gabimeve, duke përmendur se edhe në Drenas, pozita dhe opozita më e madhe mbetet PDK. Ai shtoi se drejtuesit e partisë hezitojnë të theksojnë faktin se PDK ka fituar në shtatë komuna në zgjedhjet e fundit.

Ai theksoi se vepra e tij jetësore është e lidhur ngushtë me figurat themeluese të PDK-së, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe se kjo trashëgimi nuk duhet të keqpërdoret.

Lladrovci tha se pret nga kandidati për kryetar të PDK-së që të prezantojë Platformën dhe deklaratën politike, si dhe një kryesi të re të aftë për të përballur dhe larguar qeverinë aktuale, të cilën e cilësoi si “më të keqen që nga çlirimi”.

Megjithëse ndodhet jashtë vendit, Lladrovci njoftoi se do t’i ndjekë me interes zhvillimet në Kuvendin e PDK-së të hënën, duke pritur përgjigje se cila do të jetë rruga e partisë që ai e quajti “partia e heronjve të luftës dhe paqes”.

“PDK është vetë liria dhe shteti i Kosovës!”, përfundoi ai.