Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Lladrovci kërkon nga Qeveria ta shpërndajë Kuvendin e komunës së Drenasit: T’i kthehet mandati qytetarit me zgjedhje të reja

Lladrovci kërkon nga Qeveria ta shpërndajë Kuvendin e komunës së Drenasit: T’i kthehet mandati qytetarit me zgjedhje të reja

Kryetari i Komunës se Drenasit, Ramiz Lladrovci përmes një reagimi publik ka njoftuar se ka kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që ta njoftojë Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e Kuvendit në këtë komunë, shkruan TV Arbëria.

Kryetari ka njoftuar se këtë veprim e mori që të mos e rrezikojë buxhetin e komunës.

Lladrovci ka shkruar se Kuvendi në Drenas është pa kryesues, pasi 16 asambleistë e kanë shkarkuar Kryesuesin, Milaim Hajdari, kryetari shton se vota e asambleistit Drin Halilaj ishte vendimtare për shkarkimin e kryesuesit, dhe sipas tij ky asambleistë i ka mbajtur dy pozita njëkohësisht.

“Kam kontestuar vlefshmërinë e votës së asamblistit Drin Halilaj, votë e cila ishte vendimtare për shkarkimin e Kryesuesit. Halilaj, pasi u punësua në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk e ka pezulluar pozitën në atë Ministri dhe ka mbajtur të dyja pozitat njëkohësisht. Ministritë përkatëse kanë mbyllur sytë për këtë çështje dhe nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka shkruar Lladrovci.

Kryetari tutje tregon se Kuvendi i Drenasit, qe 71 ditë nuk ka mbajtur asnjë mbledhje dhe bën thirrje që të bëhet përbërja e re e kuvendit me zgjedhje të reja.

“Kanë kaluar 71 ditë, pa u mbajtur asnjë mbledhje e Kuvendit, ndërsa kanë kaluar 43 ditë nga kthimi i ligjshmërisë së vendimit nga MAPL për shkarkim të Kryesuesit të Kuvendit dhe asnjë veprim nuk është ndërmarr nga Kuvendi për zgjedhje të Kryesuesit.

Në përputhje me nenin 50, paragrafi 50.3, të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale dhe nenit 37.11 të Statutit të Komunës së Drenasit, nr. 01-110-6904, pres që MAPL ta njoftojë Qeverinë për mosfunksionimin e Kuvendit, në mënyrë që Qeveria të shpërndajë Kuvendin e Komunës së Drenasit dhe të shpallen zgjedhje për Kuvend të ri.

Pengimi i punës së ekzekutivit të komunës së Drenasit, pres të marrë fund, njëherësh, qytetarët të zgjedhin përbërje tjetër kuvendore që angazhohen për zhvillimin e komunës së Drenasit dhe përfaqësojnë realisht interesin qytetar’, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i tij i plotë: