Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Lladrovci duhet të jetë më mirënjohës”, Petrit Hajdari para zgjedhjeve: Gjithçka do jetë ndryshe, balotazhi i takon të kaluarës!

“Lladrovci duhet të jetë më mirënjohës”, Petrit Hajdari para zgjedhjeve: Gjithçka do jetë ndryshe, balotazhi i takon të kaluarës!

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Petrit Hajdari për Gazeta Blic ka thënë se balotazhi në këtë komunë, tashmë i takon të së kaluares, duke i’u referuar kështu kundershtarit të tij politik, Ramiz Lladrovcit.

Hajdari gjithashtu potencon se Lladrovci duhet të ishte më mirënjohës për PDK-në.

“Ai ka qenë 9 vjet kryetar me përkrahjen e Partisë Demokratike dhe qytetarëve të Drenasit. Konsideroj që për diçka të tillë është dashur të jetë më mirënjohës. Ka vendosur të garojë me një iniciativë dhe unë s’kam problem me këtë gjë. PDK në Drenas ka shkuar në balotazh me të si kandidat. Tash e tutje, balotazhi në Drenas i përket të kaluarës. 12 tetori do ta konfirmojë këtë që po ju them”, tha Hajdari.

Hajdari bëri të ditur se programi i tij qeverisës tashmë është në fazën përfundimtare të hartimit dhe shumë shpejtë do të publikohet, duke theksuar se është zgjedhur rruga që programi të ndërtohet bashkë me qytetarët.

“Një pjesë e programit është e përfunduar, por ekspertët tanë po i shtojnë pika që adresojnë nevojat e komunikuara nga qytetarët tanë gjithandej. Programin e bëjmë bashkë dhe qeverisjen e bëjmë për të gjithë”, deklaroi ai.

Hajdari gjithashtu tha se prioriteti i tij do të jetë shërbimi ndaj qytetarëve, duke paralajmëruar një qasje krejtësisht ndryshe në qeverisje.

“Shërbim, shërbim, shërbim. Nuk mund ta saktësoj çfarë është ndryshe, sepse gjithçka do të jetë ndryshe. Drenasi ka potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi. Është distancë e shkurtër me Prishtinën dhe njerëzit nuk kanë pse shpërngulen nga këtu. Ata e bëjnë sepse qyteti s’u ofron asgjë. Këtu duhet ta mbajmë fokusin me çdo kusht. Drenasi nuk ka njerëz për të humbur”, theksoi kandidati i PDK-së.

Kandidati i PDK-së në komunën e Drenasit tha poashtu se atmosfera në fushatë dhe pritja nga qytetarët është “ jashtëzakonisht emocionuese”, duke i falënderuar qytetarët e Drenasit për mbështetjen.