Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Lista Serbe sfidon Kuvendin dhe rrezikon formimin e Qeverisë së re

Lista Serbe sfidon Kuvendin dhe rrezikon formimin e Qeverisë së re

Më pak se një javë pasi Kuvendi i Kosovës u konstituua plotësisht, me kryetarin dhe pesë nënkryetarët, kushtetutshmëria e këtij procesi u vu në pikëpyetje nga Lista Serbe.

Kjo parti, më e madhja e serbëve në Kosovë, dorëzoi një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb, Nenad Rashiq, duke pretenduar se janë bërë shkelje kushtetuese dhe të rregulloreve.

Në ankesën e saj, Lista Serbe kërkoi që gjykata të vendosë një masë të përkohshme, për të ndaluar, siç tha, “veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”.

Nënkryetari nga komuniteti serb u zgjodh më 10 tetor, dhe ky post iu besua Nenad Rashiqit – i vetmi deputet i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Emri i tij u votua pasi asnjë nga kandidatët e Listës Serbe – e cila ka shumicën e vendeve të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend – nuk arriti t’i siguronte votat e nevojshme.

Me Kushtetutën e Kosovës, nënkryetari duhet të jetë nga “radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”.

Ndërsa, sipas Rregullores, “kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”.