Lista Serbe e ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një reagimi në Facebook, Lista Serbe kanë shprehur besimin dhe pritshmërinë se pozita dhe problemet e popullit serb në Kosovë do të jenë edhe më tepër në fokus. Veçanërisht presin që administrata Trump të insistojë për themelimin e Asociacionit.
“Ne jemi të bindur se administrata e presidentit Trump nuk do të lejojë vazhdimin e persekutimit sistematik të popullit serb nga vatrat shekullore në Kosovë, si dhe se do të insistojnë në respektimin e të drejtave themelore njerëzore dhe politike të popullit serb, si dhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, veçanërisht ajo që ka të bëjë me formimin e Asociacionit”, thuhet në njoftim.
Tutje Lista Serbe ka theksuar se populli serb ka qenë gjithmonë me presidentin Trump dhe për këtë arsye është i inkurajuar nga kjo fitore historike.