Në letrën dërguar Qeverisë serbe, që ky subjekt ndau me mediat, thuhet se populli serb “po vuan nga terrori dhe represioni i regjimit antiserb të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti qe dy vjet”.
“Ne thellësisht besojmë se ky vendim, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe partnerët perëndimorë, do të parandalonte aktivitetet e mëtejme të paligjshme të këtyre formacioneve dhe bashkëpunëtorëve të tyre për të kërcënuar paqen në këto zona. Po ashtu, ky vendim do të krijonte një bazë ligjore për veprimet e të gjitha autoriteteve shtetërore kundër këtyre organizatave që t’i sjellin ato para drejtësisë”, thuhet në letrën e Listës Serbe dërguar Qeverisë në Beograd.
Kjo kërkesë e Listës Serbe vjen disa ditë pasi Qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” – dy organizata që besohet se veprojnë në veri të Kosovës – organizata terroriste.
Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Kurti ka thënë se këto dy formacione, po ashtu, kanë bërë thirrje për rezistencë e mosbindje, kanë detyruar qytetarët të marrin pjesë në protesta dhe barrikada dhe kanë “rekrutuar dhe trajnuar pjesëtarë për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi, me qëllim të kryerjes së sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë”.
Policia e Kosovës ka rritur praninë në pjesën veriore – të banuar me shumicë serbe – teksa në këtë zonë janë rritur tensionet.
Tensionet janë rritur që nga fundi i muajit maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale, me asistimin e Policisë së Kosovës.
Që atëherë, serbët në këto komuna kanë protestuar, duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve dhe njësive speciale policore.
Kryeministri Kurti ka thënë se prania policore në veri do të ulet, paralelisht me përfundimin e protestave dhe që personat përgjegjës për dhunën të përballen me drejtësinë.
Në veri janë regjistruar disa incidente, përfshirë sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe gazetarëve, por edhe sulme me shok-bomba dhe granata dore.
Kurti deklaroi më 3 korrik se autoritetet kanë identifikuar 45 persona, që sipas tij, kanë marrë pjesë në sulmet në veriun e Kosovës.
Deri më tani, Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona për sulmet ndaj gazetarëve, por edhe për ngjarjet e dhunshme të 29 majit në Zveçan. Atë ditë, protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Kurti tha se as “as çereku” i të dyshuarve për sulmet në veri nuk janë arrestuar, “prandaj e kemi këtë situatë”.
Bashkësia ndërkombëtare po i kërkon Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të ulin tensionet dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja.
/TV Arbëria