Rezultatet e së dielës nga zgjedhjet lokale tregojnë që Lista Serbe ka fituar 9 komuna, ndërsa në njërën shkon në balotazh. Lista Serbe fitoi në veri, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh. Kurse në Kllokot, shkon në balotazh.
A shënon kjo një hap drejt integrimit të serbëve të Kosovës në institucionet shtetërore? Apo vazhdimin e përpjekjeve të “reja” për “ripushtimin” e pjesës veriore, pasi e njëjta parti ka paralajmëruar anulimin e të gjitha vendimeve që janë marrë në ato komuna nga kryetarët deritanishëm shqiptarë?
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për TV Arbëria ka folur analisti politik Blerim Burjani, i cili thotë se në veri sjelljet e serbëve i detyron presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“1. Varet si e kuptojnë riintegrimin serbët atje, si kthim në qeverisje demokratike apo largim të shtetit të Kosovës atje. Ata nuk logjikojnë vet, por përmes logjikës dhe ndikimit të Serbisë. Atje serbët dhe sjelljet e tyre i detyron Vuçiqi. Ose duhet me dëgju Serbinë dhe me i ruajtë benefitet materiale dhe financiare, ose me mbet pa ato. Serbët kosovarë duhet të punojnë dhe qeverisin për vete në veri, jo për Serbinë. Ata nuk jetojnë në Serbi, por tash kjo është çështje e bindjes së tyre”, tha analisti Burjani.

Analisti tutje shtoi se serbët lokalë përmes Serbisë tentojnë të rikthejnë kryengritjen e tyre në veri.
“2. Jo, nuk do të lejohet ripushtim dhe nuk do të tolerohet anarkia dhe përpjekjet për destabilizim dhe organizim të dhunës më. Mund të formojnë organet komunale, mund të qeverisin, por brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Në të kundërtën do të nxjerrin telashe të tjera, që për shtetin e Kosovës mund të cilësohen të dëmshme dhe të papranueshme. Pra, shteti i Kosovës do të bëjë përpjekje për të ruajtur gjendjen e krijuar katër vitet e fundit atje, e serbët lokalë përmes Serbisë e tentojnë me rikthye kryengritjen e tyre në veri”, tha analisti për TV Arbëria.