Lista Serbe ka njoftuar të premten se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Lista Serbe përmes një postimi në rrjetin social në “Facebook” tha se ndër arsyet e vendimit të saj për të marrë pjesë në zgjedhje ishte edhe një incident që ndodhi të enjten, kur deputetët e saj u penguan të hynin në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e Listës Serbe paraqiten në Kuvendin e Kosovës një herë në gjashtë muaj sa për të ruajtur mandatin dhe për të siguruar vazhdimin e marrjes së pagave.
Në seancën plenare të së enjtes, ata nuk janëlejuar të hyjnë në Kuvend nga deputetë të partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Madje kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca i ka akuzuar ata për keqpërdorim të parasë publike.
Duke iu referuar këtij incidenti, Lista Serbe njoftoi se : “Për këtë arsye shfrytëzojmë rastin të informojmë publikun se Lista Serbe, më e fortë se kurrë, do të marrë pjesë në zgjedhje”. Ne do t’i fitojmë që të gjitha dhjetë mandatet e destinuara për popullin serb dhe do ta ruajmë unitetin dhe harmoninë e popullit serb në këtë zonë. Populli serb do të tregojë në zgjedhje për kë beson dhe kë dëshiron si përfaqësues të tij”, tha ajo.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe janë të vetmit që përfaqësojnë interesat e popullit serb në Kosovë dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi një halë në sy për regjimin e [kryeministrin e Kosovës] Albin Kurti, por edhe për përfaqësuesit ndërkombëtarë”, tha Lista Serbe, e cila ia ka bojkotuar seanca parlamentare prej nëntorit të vitit 2022.
Në përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës, nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb, i takojnë Listës Serbe.