Lista Serbe ka dorëzuar sërish ankesë te Gjykata Kushtetuese e Kosovës për mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendi i Republikës së Kosovës nga komuniteti serb, z. Nenad Rashiq. Sipas listës, në procedurën e zhvilluar më 10 tetor për konstituimin e Kuvendit, janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Në njoftimin e saj për media, Lista Serbe ka kërkuar gjithashtu që të caktohet masa e përkohshme për të ndaluar veprime që mund të krijojnë “dëme të pakthyeshme”.
Në lidhje me këtë temë avokati Ardian Bajraktari, për TV Arbëria ka thënë se shpreson që verdikti nga Gjykata Kushtetuese të vijë sa më shpejt pasi që Kosova është vonuar mjaftueshëm për formimin e institucioneve.
“Çështja e kërkesës së Listës Serbe e adresuar në Gjykatën Kushtetuese sa i përket çështjes së nënkryetarit të Kuvendit, është në linjë të qenit palë e autorizuar për aq kohë sa janë 10 e më tepër deputetë. Të njëjtit mund të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese nëse është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”.
“Edhe aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese vlerësoi që ankesa, përkatësisht kërkesa për kushtetutshmërinë e Listës Serbe, ka bazë, dhe megjithatë presim që verdikti i Gjykatës Kushtetuese të vijë sa më shpejt, sepse siç dihet tashmë kemi kohë të humbur jashtëzakonisht shumë në drejtim të themelimit fillimisht të Kuvendit, pastaj edhe të institucioneve të tjera”, ka thënë Bajraktari.

“Sa i përket rrjedhjes së afateve për formimin e qeverisë, për aq kohë sa nuk kemi vendim të Gjykatës Kushtetuese për aprovimin e kërkesës për masë të përkohshme, qoftë me iniciativë të palës ose me vetiniciativë të Gjykatës Kushtetuese, afatet rrjedhin. Mirëpo, megjithatë, mbetet të shihet nëse eventualisht në fillim të javës së ardhshme Gjykata do të dalë me vendim, për faktin se po t’i referohemi aktgjykimit të fundit, rrethanat afërsisht të ngjashme vazhdojnë me ekzistu për sa i përket çështjes për masë të përkohshme”, ka shtuar tutje Bajraktari. /TV Arbëria