Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Lirohet nga akuza pronari i Spitalit “Bahçeci”

Lirohet nga akuza pronari i Spitalit “Bahçeci”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Ahmet Hamdi- Bahçeci, i cili akuzohej se në cilësinë e drejtorit të biznesit “Behçeci Healthcare” iu shmang tatimit në vlerë prej 80 mijë e 696 euro e 50 centë.

Aktgjykimi në fjalë, u shpall të premten nga kryetari i trupi gjykues, gjykatësi Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”. Sipas këtij aktgjykimi, nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale e cila i vihej në barrë.

Ndërkaq, shpenzimet procedurale bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës. Ndërsa, pala e pakënaqur kundër këtij aktgjykimi ka të drejtë ankesë brenda afatit prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Paraprakisht në këtë seancë është dhënë fjala përfundimtare, të cilën prokurori Burim Çerkini dhe mbrojtësi i të akuzuarit Ahmet Hamdi- Bahçeci, avokati Kujtim Kërveshi e dorëzuan me shkrim.

Prokurori Çerkini, gjatë elaborimit, ndër të tjera tha se nga provat e prezantuara në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari Bahceci ka kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Sipas tij, duke qenë se kjo vepër është e karakterit ekonomik, provat që vërtetojnë këtë vepër penale janë prova materiale apo raporte të nxjerra nga institucione përgjegjëse, në këtë rast Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Po ashtu, ai shtoi se dëshmia e dëshmitarëve nuk është në kundërshtim me përmbajtjen e provave materiale.

I njëjti i propozoi gjykatës që provave të paraqitura t’ua fal besimin pasi sipas tij janë të ndërlidhura dhe përputhen mes vete, duke shtuar se i akuzuari Bahceci ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet si dhe duke kërkuar që i njëjti të shpallet fajtor.

Në anën tjetër, avokati Kërveshi ndër të tjera tha se nuk qëndrojnë pretendimet e prokurorit se i mbrojturi i tij është pronar i spitalit.

Sipas tij, pronësia i ka takuar një subjekti juridik e se nuk është i mbrojturi i tij, duke shtuar se ky pretendim mund të referohet përmbledhjes së provave të prokurorisë.

“Aty është e printuar nga hetuesit sigurisht, faqja e parë e ARBK-së ku në atë faqe në rubrikën e dytë, ku shënon pronar aksionar, pronësia i ka taku një subjekti juridik që nuk është i mbrojturi im”, tha Kërveshi.

Po ashtu, ai tha se e gjithë kjo çështje ka nisur në prill 2019, kur Inspektorati Shëndetësor, Departamenti për Luftimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore bastisen Spitalin Bahçeci me pretendimin se aty transplantohet organe.

Tutje, Kërveshi tha se ky inspektorat mbylli këtë spital për një vit dhe la qindra pacient pa trajtim, e që sipas tij, ka ndërhyrë drejtpërdrejt në planifikime familjare të ligjshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, ai tha se PSRK e mbështet aktakuzën në raportin e ATK-së edhe pse sipas tij as aktakuza e as raporti i ATK-së nuk i jep gjykatës asnjë referencë ligjore se nga ku buron autorizimi i ATK-së për të ndërhyrë në raporte mes subjekteve juridike.

“E para, periudha e aktakuzës është  01.01.2015, domethënë aktakuza kalon edhe kontratën e huas. E dyta, nuk ka pas në fuqi asnjë normë që për vitin 2015 me ja kërku dikujt tatimin në hua, lëre ma me ja kalkulu”, shtoi Kërveshi.

Kurse, para fjalës përfundimtare, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatës Musa Konxheli ka aprovuar propozimin e avokatit Kërveshi që si prova materiale të administrohen edhe dy autorizime, një i vitit 2016 dhe një i 2017.

Sipas Kërveshit, këto autorizime tregojnë se dy persona tjerë gjatë këtyre viteve janë autorizuar si menaxherë të operacionit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 15 shtatorit 2021, në periudhën kohore nga 1 janari 2015 e deri më 30 shtator 2020, në cilësi të drejtorit të biznesit “Behçeci Healthcare” Sh.P.K., Ahmet Hamdi-Bahçeci ka kryer veprën penale të shmangies së tatimit.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti, me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit dhe të ardhurave nga qarkullimi, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij nuk i ka përfshirë këto informata lidhur me të ardhurat e tij.

Tutje, thuhet se ai i është shmangur tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimit të mbajtur në burim në interes hua – TMB (WR), në vlerë të përgjithshme prej 80 mijë e 696 euro e 50 centë dhe se në këtë mënyrë e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, gjendje kjo e konstatuar sipas Administratës Tatimore të Kosovës, si në raportin final hetues të 10 qershorit 2021.

Me këtë, Bahçeci akuzohet se ka kryer veprën penale të “Shmangies nga tatimi” nga neni 307, paragrafi 3 dhe paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Themes by WordPress