Analisti dhe gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, duke ngritur pikëpyetje lidhur me provat që, sipas tij, janë përdorur për rastin e Behajdin Allaqit.
Mehmetaj ka kërkuar që rasti të trajtohet publikisht dhe që të bëhen të ditura provat mbi të cilat është mbështetur aktgjykimi.
Në reagimin e tij, ai i referohet deklarimeve të avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mišetić, i cili ka thënë se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin dhe ka ngritur çështje lidhur me trajtimin konfidencial të disa provave.
“Qitni provat”, ka shkruar Mehmetaj, duke argumentuar se publiku duhet të ketë mundësi t’i shohë dhe t’i vlerësojë provat që lidhen me rastin.
Mehmetaj ka ngritur gjithashtu pyetje nëse ka pasur prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimet e dhëna nga Gjykata, duke kundërshtuar publikisht mënyrën se si është trajtuar rasti.
Ndërkohë, një dokument hetimor i vitit 2000, i bërë publik pas aktgjykimit, ka rikthyer në vëmendje rastin e Behajdin Allaqit. Sipas raportimeve mbi dokumentin, bashkëshortja e tij, Nazmije Allaqi, kishte deklaruar te autoritetet se Behajdin Allaqi ishte marrë nga policia serbe në Drenoc dhe se prej atëherë nuk kishte pasur informacion për të. Ky version paraqet një element që është duke u diskutuar publikisht në raport me përfundimet e Gjykatës.