Shkruan: Agron Limani
Nga përfundimi i luftës kishim dalur të vrarë e të shkatërruar si është më së keqi. Serbët lokal, të ndihmuar nga forcat policore dhe ushatrake serbe kishin dashur të na zhduknin pothuajse tërësisht nga faqja e dheut. Fakti që 113 civil shqiptarë të Krushës së Vogël ishin vrarë nga serbët, fliste më së miri për ndjenjat tona. Si pasojë e përmasave të këtij krimi, gjithçka serbe urrehej pa masë. Nën këto rrethana të tmerrshme, shqiptarët ishin besatuar që në asnjë mënyre të mos ndihmoheshin ata, të cilët nuk lanë gjë pa i bërë kësaj popullate. Kjo, pos të tjerash, nënkuptonte të mos dërgohej asnjë cent në adresë të Serbisë. Për këtë, në rrethe të ngushta dhe të gjëra shoqërore, ekzistonte një pajtueshmëri në kuptimin e plotë të fjalës.
Por me kalimin e kohës, gjërat dalëngadalë filluan të ndryshojnë. Disa nga ata të cilët përbënin rrethin tonë shoqëror, me kalimin e kohës “gjenin”, shpiknin, trillonin ndonjë pretekst dhe rrallonin ose ndërprenin kontaktet. Numri i tyre, me kalimin e kohës, çuditërisht rritej.
Personalisht jo që e ndjeja mungesën e tyre, marrë për bazë karakterin, vlerën dhe nivelin që kishin, megjithatë një fenomen i tillë më kishte nxitur kureshtjen të kuptoja se çka e nxiste një sjellje të tillë të tyre, pra një largim gradual.
Në një bisedë rasti, në lidhje me këtë fenomen, më thanë:
NJERËZIT NUK DUAN TË MERREN ME TË KALUARËN, ME ATË QË JU KANË BËRË SERBËT DHE SERBIA, PRANDAJ LARGOHEN NGA JU!!!
U shtanga, sepse kishte kohë që dyshoja se largimi i tyre kishte të bënte pikërisht me këtë, pavarësisht shpifjeve, gënjeshtave, maskimeve të ndryshme që bënin. E kaluara nuk ishte diçka e huaj, që kishte ndodhur në ndonjë kontitent tjetër, por ajo kishte të bënte pikërisht me familjarët, shokët, miqtë, bashkëkombasit e tyre. Dyshimi i kahershëm i imi, fatkeqësisht po përforcohej me kalimin e kohës. Fillova të kuptoja se kur ndonjë person gradualisht largohej, kjo ishte si një lloj përgaditje tereni për ndonjë allash vereshi me serbë; blerje e ndonjë banese, shtëpie, parcele toke, ose hezitim/mosinteresim për të dëshmuar kundër krimeve serbe.
Kjo ishte skandaloze sidomos kur pjesë e këtyre ”lojrave” ishin familjarë të të vrarëve nga serbët apo ish ushtarë të UÇK-së. Pos tjerash kjo shoqërohej edhe me një energji negative kundrejt atyre të cilët ishin kundër kompensimit/shpërblimit të atyre të cilët ishin përgjegjës për krimet e kryera.
Edhe atëherë edhe tani asnjëherë nuk kam arritur të kuptojë si është e mundur që atyre, që kishin bërë mbi njëqindë vrasje e që nuk guxonin të ktheheshin në vendin e krimit, duhej kompensuar ajo që kishin lënë!!!
Dmth pasi serbët kanë vrarë sa kanë mundur shqiptarë, duke përfshirë dhe fëmijë, shqiptarët pastaj janë organizuar dhe iu kanë mbushur qeset me qindra mijëra euro dhe iu kanë dërguar atje ku janë!!!
Thuhet se prona është e shenjët, por për njerzit normal, e shenjët është ajo, e cila me humbjen e saj nuk mund të kompensohet as fizikisht e as shpirtërisht. Pra, për ne janë të shenjëta jetërat e njerëzve tanë të cilat na i morrën këta serbë e të cilët nuk mund të kompensohen me asgjë dhe në asnjë mënyrë, por jo gjërat materiale të cilat mund të kompensohen.
Duke ditur dëmet e mëdha në njerëz nga radha e shqiptarëve, në Kosovë qëllimisht është lansuar koncepti, “prona është e shenjtë“, me të vetmin qëllim që të zhvlerësojë atë çka me të vërtetë është e shenjët, pra jetën e njeriut dhe e cila identifikohet me shqiptarët.
Duke marrë në konsideratë dëmet e natyrës materiale, nga të cilat shumë familje shqiptare pas lufte, është dashur të fillojnë nga zeroja, është poashtu në interesin tonë që të bisedohet edhe për këtë çështje, por pasi këta serbë të sillen para drejtësisë dhe të japin përgjegjësi, pse e vranë këtë masë të madhe të meshkujve, kur të gjithë ata ishin persona civil e të paarmatosur.