Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Limaj thotë se Kurti është veteran i rrejshëm, hedh dyshime për arrestimin e tij nga Serbia

Limaj thotë se Kurti është veteran i rrejshëm, hedh dyshime për arrestimin e tij nga Serbia

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është veteran i rrejshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se vetë ai e di këtë gjë.

Limaj ka thënë se kryeministri Kurti nuk është bashkëluftëtar i tij.

Sipas Limajt, Kurti nuk ka pasur kurrfarë funksioni në luftën guerile të UÇK-së edhe pse i ka pasur të gjithë mundësitë për të qenë pjesë e saj.

“Përtej asaj që po e them unë, ju mund ta dëgjoni atë se çfarë vetë Albin Kurti ka deklaruar. Nuk ka nevojë me ia vërtetu unë. E kemi me zë dhe figurë Kurtin kur ka thënë nuk jam ushtar i UÇK-së dhe se nuk besoj në luftën çlirimtare. Fatkeqësisht ka individë që e posedojnë certifikatën e veteranit e nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së, e nëse Kurti e ka një të tillë, atëherë ai është veteran i rrejshëm. Ne e njohim veprimtarinë e tij, ai ka qenë përkthyes i Adem Demaçit në zyrën e tij në Prishtinë”, ka thënë Limaj në Paradoks.

Ish-ministri i Infrastrukturës ka shtuar se Kurti ka pasur mundësi të ishte pjesë e UÇK-së, por që vetë ai nuk kishte shprehur dëshirë. Madje sipas Limajt, Kurti kishte komentuar edhe marrëveshjen e Rambujes e cila ishte nënshkruar duke thënë se një e tillë nuk duhej nënshkruar.

“Kur ka ardhur momenti pas Marrëveshjes së Rambujes, Kurti e ka pasur mundësinë për t’u rreshtuar në radhët e UÇK-së pasi që ai ka udhëtuar në zonat e luftës së bashku me Adem Demaçin. Kemi pasur takim me të, tri herë ka qenë tek ne duke e shoqëruar bacën Adem. Herën e fundit ka qenë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujes, kur ne vetëm se e kishim pranuar një të tillë, ndërsa ai na tregonte se a ishte mirë apo jo të pranohej kjo marrëveshje”, ka thënë Limaj

Limaj ka shkuar edhe më tej duke hedhur dyshime edhe për arrestimin e tij nga forcat serbe në prill të ’99-tës.

“Si është e mundur që OSBE-ja e të gjitha organizatat ndërkombëtare u larguan kur Kurti mbeti në Prishtinë. Pse ka qëndruar ai në Prishtinë, çka ka prit? – prandaj edhe është arrestuar, ai ka pasur shumë alternativa të largohet por nuk është larguar. Kjo është e gjitha historia e tij”, tha Limaj.

Powered by WordPress