Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi ka degraduar në dy vitet e fundit. Sipas Limajt, fajtor për këtë është vet kryeministri Albin Kurti.
Limaj ka folur edhe për planin e prezantuar nga evropianët, të cilin e konsideron si humbje për Kosovën. Thotë se me këtë rast, Serbia e fiton Asociacionin dhe nuk e njeh Kosovën si shtet. Limaj ka folur edhe për pozicionin që e ka Kosova dialog, për të cilin thotë se është në disavantazh.
Kreu i Nismës thotë se njohja reciproke është larguar nga kjo marrëveshje, teksa konsideron se dialogu ndër vite e ka pasur këtë synim.
“Ka degraduar dialogu për dy vitet e fundit, nga bisedimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen brenda. Kanë qenë tri principe; e para marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obliguar me njohje brenda. E dyta ka qenë një princip që nëse nuk merremi vesh për të gjitha, nuk jemi marrë vesh për asgjë dhe e treta njohja në fund. Të gjitha këto u zhduken dhe erdhëm në një situatë me një propozim (plani franko-gjerman), dhe kjo ka ardhë si rezultat i sjelljes së këtij njeriu (Kurtit)”, thotë Limaj.
“Ato zhvillime e tensionime që ndodhën në veri të vendit, praktikisht jemi në një situatë ku ne sot 14 për qind e territorit të Kosovës nuk ka ligjshmëri. Një pjesë e madhe e territorit, sot është e paqeverisshme, nuk ka institucione të Kosovës. Bota po thotë se është problem sigurie. Për t’u rikthyer serbët në institucione, duhet me u plotësu kushtin që e kanë nxjerrë, pra Asociacionin”, u shpreh Limaj.
Teksa ka folur për marrëveshjen e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Limaj thotë se kërkesat e ndërkombëtarëve nuk e përmendin më njohjen reciproke.
Shkak sipas tij janë ngjarjet që ndodhën në veri të Kosovës, me ç’rast fajtor e bën kryeministrin Kurti.
/TV Arbëria